Sot Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Nazari e Çelsi
(28.07.2010 RV)Shën Nazari, qytetar romak, dishepull i Shën Pjetrit, qe pagëzuar
nga Shën Lini, më vonë papë. Për të shpëtuar nga inati i tmerrshëm i të jatit, hebre
fanatik e nga persekutimi kundër të krishterëve, u largua nga Roma dhe e predikoi
Krishtin në vise të tjera të Italisë, në Gali e në Treviri. E shoqëronte një djalë
me emrin Çelsi, të cilin e përgatiti vetë në fenë e krishterë, e pagëzoi dhe e bëri
shok apostullimi. Shumë shpejt të dy u kapën e, të ngarkuar me zinxhirë, u flakën
në burgjet romake. Dolën që aty, falë gruas së prefektit romak që, pas një ëndrre
të tmerrshme, iu lut të shoqit t’i lironte. Vijuan ta predikojnë Ungjillin e Krishtit,
derisa u kapën përsëri e u çuan në Romë, ku Neroni urdhëroi që Nazari të hiqej zvarrë
në tempullin e Jovit e të flijonte para idhullit. Por sapo shenjti hyri në tempull,
të gjitha shtatoret e idhujve ranë përdhe copa-copa. Pas shumë mrekullish të tjera,
që tregohen hollësisht në historinë e martirizimit të dy shenjtorëve, si shpërtheu
persekutimi në kohën e Dioklecianit, në vitin 304 pas Krishtit, u qe prerë koka të
dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak fenë e tyre në Krishtin. Më vonë Shën
Ambrozi i mbarti trupat e martirëve në kishën përballë Portës Romake, e cila që asokohe
quhet Kisha e Shën Nazarit. Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do të thotë: "I shuguruar
Zotit", ndërsa Çelso, nga latinishtja, e do të thotë ‘i lartë’. Ikonografia i paraqet
gjithnjë së bashku. Mbajnë në dorë palmën, simbol i martirizimit.