2010-07-28 18:08:11

Serbia, OKB-së për Kosovën: duhet zgjidhje e pranuar nga të gjithë


(28.07.2010 RV)Serbia dorëzoi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutën, përmes së cilës synon negociata të reja për statusin e Kosovës, sipas mediave serbe. Në rezolutë kërkohet përmes dialogut arritja e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha çështjet e hapura.
Në Nju Jork ndodhet ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili do të zhvillojë një numër të madh takimesh me ambasadorët e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe do të përgatitet për seancën e Këshillit të Sigurimit rreth Kosovës, e cila është parashikuar për javën e ardhshme. Ja teksti i plotë i rezolutës, botuar në mediat serbe dhe shqiptare (marrë nga Gazeta Shqiptare 28.07.2010):

Asambleja e Përgjithshme,
Sipas parimeve të përfshira në Kartën e Kombeve të Bashkuara,
Duke pasur parasysh funksionet dhe kompetencat e saj sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara,
Duke rikujtuar rezolutën e saj 63/ 3, të datës 8 tetor 2008
Të vetëdijshëm se nuk është arritur marrëveshje midis palëve në lidhje me pasojat e një shpalljeje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia,
Duke marrë parasysh faktin se shkëputja e njëanshme nuk mund të jetë mënyrë e pranueshme për të zgjidhur çështjet territoriale,

1. Duke marrë parasysh opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lëshuar më 22 korrik 2010, nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,

2. U bën thirrje të gjitha palëve të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet e pazgjidhura me dialog paqësor, në interes të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon,

3. Vendos të përfshijë në axhendën e përkohshme të seancës së 66-të, pikën me temën: "Veprimet e mëtejshme pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”







All the contents on this site are copyrighted ©.