2010-07-28 16:45:44

Hekzarku patriarkal armen katolik i Jeruzalemit nënvizon rëndësinë e Sinodit të ardhshëm për Lindjen e Mesme.


(28.07.2010 RV)Sinodi për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në Vatikan, tetorin e ardhshëm, do të jetë rast i përshtatshëm për të hedhur dritë të re mbi situatën e Kishës së Lindjes. Me realitetet e veta të shumta - armene, greko ortodokse, greko katolike – kjo Kishë jeton në shtete të ndryshme të zonës, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Këtë thekson, në mikrofonin tonë, imzot Rafael Minasian, hekzark patriakal i Kishës armeno-katolike të Jeruzalemit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Është e vërtetë që këto vende quhen demokratike: ka liri shprehjeje, kulti e kështu me radhë, por në realitet liritë mbeten në letër, ndërsa në jetën e përditshme krijohen një mori vështirësish. Një vend nuk e ka aspak të lehtë të bashkëjetojë me tjetrin, sidomos kur tjetri është i krishterë. Prej këndej, po e vuajmë dramatikisht hekzodin, që vijon e s’ka gjë që e ndalon, pikërisht për shkak të mungesës reale të lirisë së shtypit e të kultit. Në Turqi, posaçërisht. Por edhe në të gjitha shtetet e tjera myslimane, ndjehet gjithnjë kjo vështirësi: nuk shihemi me sy të mirë, si nga ana politike-shoqërore, ashtu edhe nga ajo fetare.

Pyetje: - Ç’mund t’i japë Kisha e Lindjes, Kishës universale?

Përgjigje: - Ky Sinod i Kishës lindore, Sinod që lind me nismë të Papës, është i rëndësishëm për jetën e Kishës universale në zonën lindore. Do të shkëmbehen mendime lidhur me disa tema tejet të rëndësishme. E para është: si mund të jetohet feja e krishterë në troje ku ka shtypje, shoqërore e politike! E dyta: si mund t’i bindim vëllezërit tanë, që të mos largohen nga Lindja? Duke punuar për emigracionin, do të gjejmë në këtë Sinod një rrugëzgjidhje, për t’i siguruar besimtarët, që të rrinë në vatrat e tyre, pavarësisht nga vështirësitë shoqërore e politike. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë, që të mund të jemi të sigurt, kur flasim për mundësitë e rritjes së fesë së krishterë në këto troje. Kështu mund t’u japim një dëshmi të gjithë atyre, që nuk janë të krishterë. Është misioni ynë. Përveç kësaj, e kjo ka rëndësi të veçantë, duhet të kërkojmë kooperim, bashkëpunim e unitet, edhe në një situatë kaq të larmishme, siç shkruhet në Instrumentum Laboris. Në se do të mund ta realizojmë këtë hap të parë të unitetit, duke e respektuar njëri-tjetrin, duke bashkëpunuar në këto vise të Lindjes së Mesme, mendoj se ‘a priori’, suksesi i këtij Sinodi mund të sigurohet 50%.







All the contents on this site are copyrighted ©.