2010-07-28 17:45:23

Atë Meshkalla ka thanë…


(28.07.2010 RV)Jezuiti shqiptar, Atë Pjetër Meshkalla, vdiq më 28 korrik 1988, 22 vjet më parë. E përcolli, me lot në sy e dhimbje në zemër, por jo më pak, edhe me atë shpresë, që ai vetë e kishte ushqyer, një grumbull i madh shkodranësh, të cilët dilnin në zhegun e korrikut nga një dimër tejet i akullt, që u kishte rrëmbyer shumë gjëra nga jeta, e nganjëherë në mënyrë të pandreqshme. Ecnin në heshtje të thellë, si ecet në funerale, e bluanin në mendje fjalët e tij, plot me besim në të ardhmen. “Pader Meshkalla ka thanë…. se s’ka me shkue gjatë e kanë me u ndërtue prap Kishat e kumbonaret. Madje kanë me i ndreqë shi këta, që i prishën…”.
Ai Njeri i madh, të cilin po e përcillnin në banesën e fundme, kishte lindur më 26 shtator 1901, në Shkodër, në një familje thellësisht katolike. U përgatit, kështu, qysh në foshnjëri, për rrugën e gjatë që e priste. I nisi mësimet në Shkodër, në Kolegjin Saverian të etërve jezuitë, për t’i vijuar në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë e në Napoli të Italisë, ku kreu fakultetin e filozofisë. Më 1931 e gjejmë në elter të Kishës së jezuitëve, në Shkodër, duke kremtuar Meshën e parë. Nisi rrugën e rregulltarit jezuit, plot veprimtari, që nuk do të mund t’i ndalonte as tramundana e diktaturës mbi Kishën katolike. Veprimtar i madh në gjirin e rinisë, më 1934 themeloi në Shkodër “Rrethin Dom Bosko” për të rinjtë. Më pas, ngriti një rreth tjetër rinor, atë të Shën Pjetrit, këtë herë në Tiranë, ku e çuan eprorët.
Viti 1944 e gjeti në kryeqytet. Më 1945 rregjimi komunist, duke e parë ndikimin e tij të fuqishëm mbi besimtarët në përgjithësi, e mbi rininë, në veçanti, i kërkoi bashkëpunim. Fjalë ogurzezë, që përpiqej të zbuste rolin e vërtetë të bashkëpunëtorit: atë të spiunit. Natyrisht Atë Meshkalla refuzoi e, menjëherë pas ftesës, në predkun që mbajti në Meshën e dritës së imzot Luigj Bumçit, e demaskoi, haptas, diktaturën komuniste.
“Haptas”. Ky do të ishte tipari kryesor i karakterit të tij e i veprimtarisë së tij, në një kohë kur njerëzit, të trembur për vdekje, përsërisnin me zë tejet të ultë, në mjediset e tyre familjare: “Pader Meshkalla ka thanë se ky pushtet nuk e ka të gjatë…”.
Haptas! Sepse ai nuk e duronte tinzinë, e përbuzte servilizmin, e urrente hipokrizinë. Për hipokrizinë, Pader Meshkalla ka thanë:
Jé Judë, që fjalën ké si shpirt- njeri,
e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,
në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,
hipokrizi
për treqind pare argjend!
Joab jé, që pret në besë e vê pusi:
hasmin e falun përqafon miqësisht,
kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht hipokrizi
fillë në zemër, si gand…!
Haptas foli gjithnjë. Haptas e demaskoi edhe revolucionin kulturor, që po bëhej në Shqipëri, sipas modelit komunist kinez, më 1967. Atëherë i shkroi Mehmet Shehut letrën e mirënjohur, përmes së cilës deshi ta ndalojë dorën e përgjakur, që po godiste për vdekje kumbonaret e minaretë. Haptas! Mori si përgjigje, arrestimin, më 29 prill 1967. Gjatë 10 vjetëve të kaluara në burg, u bë “Engjull i birucave” për qindra të burgosur, të cilët herë pas here i botojnë kujtimet e tyre për këtë njeri të jashtëzakonshëm, duke i nisur me fjalët “Atë Meshkalla ka thanë…”.
Doli nga burgu në moshën 78 vjeçare e i jetoi vitet e fundit, ashtu si kishte jetuar të parat: si bir i vërtetë i Krishtit të kryqëzuar, duke e përsëritur Udhën e Kryqit, deri në të tretën ditë, deri më 28 korrik 1988, 22 vjet më parë, kur u varros në varrezën e Shtojit, për t’u zhvarrosur përsëri. Tani pushon në paqe në varrin monumental, që vëllezërit jezuitë kanë ngritur në përkujtim të sivëllezërve të vdekur, në Rrëmaj. Ndërkaq të krijohet përshtypja se Jezuiti martir është gjithnjë gjallë, sepse i dëgjohet emri shpesh, edhe pse këtë emër e mban shkolla e re saveriane e jezuitëve në Shkodër. E shpesh dëgjon dikënd që, në mes të bisedës, nis e kujton: “Pader Meshkalla ka thanë…. E ka thanë haptas…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.