2010-07-27 15:16:44

Pritet me padurim hapja në shtator e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, pas restaurimit. Mbi rëndësinë e saj flet prefekti i Bibliotekës Imzot Pazini.


(27.07.2010 RV)Edhe dy muaj, më 20 shtator, pas tri vjetësh restaurimi dhe ristrukturimi Biblioteka Apostolike e Vatikanit do t’i hapë përsëri dyert për studjuesit e shumtë. Dorëshkrime, materiale arkivore, libra, vizatime, monedha e medalje nga më të çmueshmet në të gjithë botën, do të jenë përsëri në dispozicion të studjuesve e të kërkuesve. Tesera elektronike, konsultimi i katalogjeve on line, rrjeti i brendshëm wi-fi dhe normat e reja të sigurisë janë disa nga risitë informatike që janë futur në përdorim.
Më 13 shtator, gjatë një konference për shtyp do të jepen edhe hollësi të tjera lidhur me punimet e kryera, siç shpjegon në mikrofonin tonë prefekti i Bibliotekës Imzot Çezare Pazini:RealAudioMP3


Përgjigje: Do të mbahet një konferencë në të cilën do t’u shpalosim gazetarëve dhe të gjithë atyre që do të marrin pjesë, çfarë kemi realizuar në kuadër të këtij projekti. Do të flasë kardinali Farina, bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake, i cili, do të tregojë punimet e kryera këtë herë, por edhe ato të mëparshmet dhe të ardhshmet që kanë të bëjnë me Bibliotekën. Fjala vjen, punimet e ardhshme, mbas ndonjë viti, kështu, do të kenë si synim hapjen e Sallës Sikstine, e cila do të kthehet në sallë leximi të Bibliotekës, krahas sallave të tjera.


Pyetje: Pak më parë po flisnim pikërisht për Sallën Sikstine që kohët e fundit, është bërë përsëri pjesë e Bibliotekës Vatikanase e që pas ndonjë viti do të jetë rishtas në dispozicion të studjuesve…

Përgjigje: Po, kjo Sallë përgjatë shekujve – nga viti 1590 e deri në fund të papnisë së Leonit XIII, për tre shekuj, pra, – ka shërbyer si sallë e ruajtjes së dorëshkrimeve të Bibliotekës. Ne, tashti, nuk mund t’i vendosim përsëri dorëshkrimet aty, sepse është mirë që të ruhen në vende të posaçme në temperaturë të duhur, të përshtatshme, ashtu siç edhe ruhen prej vitesh tashmë. Megjithëkëtë studjuesit do të mund të vijnë në këtë tempull të mahnitshëm të kulturës, plot histori, siç është Biblioteka e të studjojnë edhe këtu si në sallat e tjera të konsultimit.

Pyetje: Imzot Pazini, pak kohë më parë patëm folur për një punë shumë të rëndësishme që është pjesë e jetës së Bibliotekës, dua të them, për projektin e dixhitalizimit të fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës vatikanase. Ju po punoni për fazën fillestare të dixhitalizimit, apo jo? Në ç’pikë jeni?

Përgjigje: “Testbed” – faza fillestare, pra, ka përfunduar me sukses. Kjo shërbeu për të saktësuar disa pika, pikërisht sepse “testbed” është provë për të bërë saktësimet e nevojshme. Tani jemi gati të fillojmë, e në fakt, muajt e ardhshëm do t’ia nisim punës, por me ngadalë ama, sepse akoma jemi në kërkim të fondeve. Kemi shpresë por edhe jemi të bindur se do t’ia dalim mbanë, me shumë mundësi aty nga viti 2011, kur do të punojmë më me vrull për këtë projekt. Sidoqoftë, ju siguroj se qysh nga shtatori, ndonëse me personel të pamjaftueshëm, do të fillojmë nga puna.







All the contents on this site are copyrighted ©.