2010-07-26 16:51:35

Të krishterët, dëshmitarë të një Zoti “që ka një fytyrë”: kardinali Toran flet për takimin ndërfetar të Sampranit, në Tailandë.


(26.07.2010 RV)“Dialogu ndërmjet bashkësive fetare, në shërbim të bashkësive civile, si mjet i nevojshëm për sheshimin e konflikteve dhe për promovimin e pajtimit, në të gjitha nivelet”. Kjo ishte një nga temat, në qendër të vëmendjes, në takimin, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, që u mbajt këto ditë në Tailandë, në selinë e qendrës baritore të Bann Phu Waan, pranë Bangkokut. Në takim ishte i pranishëm edhe kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Në mikrofonin tonë, flet për situatën e sotme të Kishës në Tailandë:

Përgjigje: - Nous sommes venus là-bas pour écouter, apprendre et partager…
Shkuam për të dëgjuar, për të mësuar e për ndarë së bashku shqetësime e gëzime. Kjo na udhëheq në shkëmbimet tona. Në këto takime, të bie posaçërisht në sy pasuria shpirtërore e baritore e Kishës në këtë pjesë të botës; është Kishë që vuajti, por edhe që i kapërceu me guxim të madh të gjitha provat. Pastaj nuk munda të mos e vlerësoj lart faktin, se mund të mësojmë shumë nga bashkëbiseduesit tanë të feve të tjera. Nga hinduistët, për shembull, mund të mësojmë meditimin e kundrimin; nga budistët, shkëputjen nga të mirat materiale dhe respektin për jetën… Rëndësi ka përpjekja jonë që të gjithë ta shikojnë se, ndonëse pakicë, jemi pakicë me peshë: e në të vërtetë, ne kemi vlerë, sepse fjala jonë dëgjohet, kemi shkollat tona, Kisha është e pranishme nga pak kudo… Siç thotë Benedikti XVI në enciklikën e tij kushtuar shpresës ‘Spe salvi”, karakteristika jonë e veçantë është se Zoti ynë ka një fytyrë: është Zot, i cili u bë njeri; u bë i afërt me njeriun; me njeriun, që e kërkon, që vuan; me njeriun, që është i lum; njeriun, që ndërton; e kjo është pasuri e vërtetë, të cilën dëshirojmë ta ndajmë edhe me shumë e shumë të tjerë.

Pyetje: - Siç thatë edhe ju vetë, bashkësia e krishterë është e vogël, përfaqëson vetëm 1% të popullsisë e, megjithatë, shquhet për gjallëri të posaçme. Cilat janë fushat kryesore të veprimtarisë së saj?

Përgjigje: - Je crois que l’action la plus visible c’est les école…
esoj se fusha më e rëndësishme, që bie më shumë në sy, janë shkollat. Shkollat tona janë shumë të kërkuara: natyrisht, përfaqësojnë një karakteristikë të pranisë sonë. Pastaj janë veprimtaritë bamirëse, e edhe jeta në famullli: e kam fjalën për gjithë jetën e famullisë, me veprimtari të përvujtura, por konkrete. Katolikët janë të njohur për jetën e tyre të përditshme shembullore. Tani të dyja palët janë të vetëdijshme për praninë e Zotit mes tyre.

Pyetje: - Pranverën e kaluar vendi jetoi një krizë të thellë politike. Cili është, sipas jush, roli i feve në zbutjen e klimës së tensionit?

Përgjigje: - Toutes les religions, plus ou moins, parlent de fraternité, de solidarité…
Të gjitha fetë, kush më shumë e kush më pak, flasin për vëllazëri, për solidaritet, e kjo më duket vërtet me vlerë. Më preku thellë vetëdija e të dyja palëve për pasuritë që kemi e që duhen ndarë së bashku. Duhet t’i ndajmë këto pasuri, sepse dëshirojmë të shërbejnë në përmirësimin e atmosferës jo vetëm në fushën ndërfetare, por sidomos në jetën e përditshme të burrave e të grave, që i përkasin feve të ndryshme, klasave të ndryshme shoqërore, kulturave të ndryshme. Mund të jenë të lumtur së bashku: është e thjeshtë!







All the contents on this site are copyrighted ©.