2010-07-26 17:00:05

Rubrika “Shembëlltyrat”: Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?


(25.07.2010 RV)Në emisionin e pestë të rubrikës, kushtuar shembëlltyrave, arrijmë tek një nga pyetjet më të rëndësishme: “Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e vetmja rrugë që duhet ndjekur, është ajo e leximit të vëmendshëm të teksteve ungjillore, duke u përpjekur për t’i kuptuar sa më mirë, si në aspektin ekzegjetik, ashtu edhe në aspektin e mirëfilltë fetar, domethënë të krishterë, sepse Krishti i foli me shembëlltyra pikërisht Kishës së tij në fasha.
Në radhë të parë, duke përdorur zhanrin e shembëlltyrës, Zoti dëshiron t’u mësojë dëgjuesve të tij disa të vërteta, që lidhen drejtpërdrejt me lajmin e mirë të shëlbimit, për t’u ngarkuar misionin ta kumtojnë ndërmjet njerëzve. Është e rëndësishme të vërejmë se metoda e tij mësimore nuk është teorike. Ai nuk flet me koncepte, siç do të bënte filozofi. Flet me figura, fryt i fantazisë e i aftësisë krijuese. Flet me krahasime, marrë nga jeta e përditshme, ose nga mënyra si sillen njerëzit e shtresave të ndryshme shoqërore, duke nisur nga mbretërit e duke zbritur deri tek ata, që mbeten gjithë jetën në këmbët më të ulëta të shkallës shoqërore, si fshatarët e thjeshtë, vejushat, skllevërit… E me që po flasim për skllevërit, duhet sqaruar se në variantet moderne të Ungjijve, termi ‘doulos’ është përkthyer gabimisht ‘shërbëtor’. Ndërsa duhet përkthyer ‘skllav’. Sepse ndërmjet shërbëtorit e skllavit ka shumë ndryshim. Shërbëtori varet nga i zoti, por nuk është pronë e tij, edhe pse jeton në kushte të vështira, duke duruar mbi kokë zotërinj shpesh herë të padurueshëm. Sidoqoftë, është i lirë. Një ditë mund ta humbasë durimin e të ikë, në kërkim të një zotërie tjetër. Ndërsa skllavi nuk është i lirë, është pronë e zotërisë. Skllevërit, në kohën e Jezusit, mund të ishin edhe më të mësuar se zotërinjtë e tyre, mund të kryenin punë të vështira, si afaristë, bankierë, mjekë, artistë, ashtu si mund të ishin edhe shërbëtorë shtëpiakë, punëtorë krahu e gladiatorë. Mund të shpëtonin nga zotërinjtë, vetëm duke e blerë lirinë me para. Gjithsesi, Ungjijtë na kujtojnë se liria, kurdoherë, duhet paguar, e se gjithnjë kushton shumë shtrenjt.
Shembëlltyrat që tregon Krishti, duke tërhequr fort vëmendjen, për shkak të karakterit të tyre anekdotik, kanë për qëllim t’i nxisin dëgjuesit të thellohen në kuptimin e rrëfimit, të reflektojnë, t’i bëjnë vetes pyetjen: “Ç’deshi të thoshte Jezusi me këto fjalë?”. Për këtë arsye shumë shembëlltyra përfundojnë me shprehjen, që e kujtuam edhe në emisionin e kaluar: “Kush ka veshë, të dëgjojë”(Mk 4, 9).
Por duhet pasur mirë parasysh se shembëlltyrat, që tregon Jezusi, nuk perceptohen aq lehtë. Dëgjuesi, sado i vëmendshëm, nuk mund ta kapë aty për aty kuptimin e krahasimit. Shpesh i duhet të vrasë mendjen, pa arritur ta kuptojë thelbin e kumtimit të Zotit. Ja pse dishepujt i kërkojnë vazhdimisht Krishtit t’u shpjegojë ç’deshi të thotë. Jezusi, në disa raste, u jep shpjegimin e kërkuar. Por këtë nuk e bën gjithnjë. U shpjegon, për shembull, shembëlltyrën e mbjellësit (Mk 4, 14-20) të rrjetës së hedhur në det ( Mk 13, 47-20) e të egjrës, që mbin e lulëzon mes grurit (Mt 13, 24-30.36-43) A ju kujtohet? Është fjala për njeriun, që mbolli farë të mirë në arë. Po natën, tinëz, ia behu armiku e hodhi, mbi kokrrat e grurit, farën e keqe të egjrës. E u nis e shkoi. E kur të mbjellat lidhën kallëz, atëherë egjra e ngriti kokën e doli mbi grurin. Shërbëtorët e lajmëruan të zotin e arës e deshën ta shkulnin, që të mos ia merrte frymën farës së mirë. Po zotëria nuk i la. Priti ardhjen e të korrave. E atëherë shërbëtorët e shkulën egjrën e e dogjën, ndërsa grurin e artë e mblodhën me kujdes e mbushën hambarët plot”.
Kjo shembëlltyra, e ky shpjegimi i Krishtit: “Ai, që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë, ata që i përkasin mbretërisë. Armiku, djalli. Korrja është mbarimi i botës, kur Zoti do t’i mbledhë të mirët në mbretërinë e vet, ndërsa ata që bënë keq, do t’i flakë në furrën e ndezur”. Vërejmë menjëherë se në shembëlltyrë çdo fjalë ka kuptim alegorik. Shpjegimi, prandaj është i domosdoshëm, me vlera të përhershme aktuale, sepse në arën e botës vijojnë të mbijnë pranë e pranë fara e mirë e fara e keqe, të rriten pranë e pranë gruri e egjra, e Zoti vijon t’i korrë. Drapëri i Zotit nuk pushon ditë as natë. Lum kush rritet si kallëzi i grurit në arë”!
Por, të mos harrojmë! Jezusi ua shpjegon shembëlltyrat vetëm dishepujve të vet e jo dëgjuesve të tjerë, që nuk bëjnë pjesë në grupin e të dymbëdhjetëve e të dishepujve të tjerë. Pse? Ungjijtë sinoptikë nuk japin të njëjtën përgjigje. Komenti ynë, në emisionin e ardhshëm!







All the contents on this site are copyrighted ©.