2010-07-24 10:15:51

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Hyjnore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.
Dialogu me Hyjin, lutja , është në qendër të fjalës liturgjike të kësaj së diele. Pra, lutja si tipar i rëndësishëm dhe i mëtejshëm i të qenurit nxënës, i të qenurit dishepull i Zotërisë Jezu Krisht. Lutja e Atë Ynë-s që na mëson Jezusi, është përmbledhje e tërë Ungjillit e na mëson sendet thelbësore e të domosdoshme të jetës: bukën, faljen dhe luftën kundër së keqës. Lutja e Atë Ynë-s afron së bashku Hyjin e njeriut, nuk e redukton Hyjin në përmbushje të mangësive njerëzore, nuk e redukton njeriun në lypësar të papërgjegjëshëm. Vetëm feja e gjallë mund ta shpëtojë vërtetësinë e lutjes. Lutja e krishterë nuk kërkesë drejtuar Zotit për të fituar diçka, por dëshirë për ta dëgjuar Hyjin, për ta lavdëruar, për ta falenderuar e për t’i kërkuar falje. Lutje e krishterë nuk është diçka për t’u thënë, por lutje për t’u jetuar e mishëruar. Pra Fjala e Zotit e liturgjisë Hyjnore të së diele na thërret të meditojmë mbi nevojën e lutjes, të lutjes së pareshtur, ngulmuese e të përbujtëm të vëmendshme e të përshpirtshme. Hyji është kurdoherë i gatshëm ta dëgjojë lutjen e bijve të vet kur kjo buron nga zemra e përvujtë dhe e sinqertë.
Ta tani t’i dëgjojmë leximet biblike e pastaj komentin e pao homelinë…..RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 20-21.23-32

Ky tregim synon t’i përgjigjet pyetjes: janë të këqinjtë që i tërheqin të mirët në shkatërrim apo do të jenë të mirët që do të shpëtojnë të këqinjtë? Përgjigjja është se do të ishin të mjaftueshëm disa të drejtë apo një njeri besimtar si Abrahami për t’i shpëtuar të gjithë. Isaia do të shpallë që vetëm një “shërbëtor” do të mund të çlirojë të gjithë kombin. Në fakt, Jezusi shërbëtori i Javehut do të shpëtojë, me flijimin e vetvetes, njerëzimin mbarë.

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti tha: “Po flitet keq për Sodomën e Gomorrën dhe mëkati i tyre është tepër i rëndë. Unë duhet të zbres e të shoh a po veprojnë njëmend ashtu si po arrin ankimi deri tek unë. Do ta di apo jo!” Abrahami iu afrua Zotit dhe i tha: “Vërtetë se bashkë me fajtorin do ta zhbish edhe të drejtin? Nëse në qytet do të jenë rastësisht pesëdhjetë të drejtë, vërtetë do ta zhbish atë vend dhe nuk do ta falësh për shkak të atyre pesëdhjetë të drejtëve që do të jenë në të? Larg qoftë prej teje që ta zhbish të drejtin bashkë me të mbrapshtin? A do t’i bësh barazi të drejtin me fajtorin? Larg teje! A thua se gjykatësi i mbarë botës nuk do ta shtjerë në veprim drejtësinë?” Zoti përgjigji: “Nëse do t’i gjej në Sodomë pesëdhjetë të drejtë, brenda në qytet, për ta do ta fal tërë qytetin.”
Abrahami e mori përsëri fjalën: “Ja, unë po marrë guxim të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur: po e zëmë se ndër ata pesëdhjetë të drejtë, do të jenë pesë më pak. A thua se për shkak të atyre të pesëve do ta zhbish tërë qytetin?” Ai tha: “Nuk do ta zhbij nëse i gjej dyzet e pesë të drejtë.” Abrahami s’u durua e i tha: “Po qe se atje do të jenë vetëm dyzet?” Hyji përgjigji: “Nuk do ta ndëshkoj për shkak të atyre dyzet të drejtëve.” Përsëri tha: “Nuk më hidhërohet Zoti im nëse flas: e po qe se, atje janë vetëm tridhjetë.” Ai tha: “Nuk do ta zhbij as nëse i gjej tridhjetë.” “Ja, prapë, po marr guxim – tha – të flas me Zotin tim: po nëse, ndoshta, atje do të jenë vetëm njëzet!” Hyji i tha: “Nuk do ta zhbij për shkak të atyre të njëzetëve .” “Po të lutem – vazhdoi – Imzot nuk do të më hidhërohet, nëse flas vetëm edhe një herë: po qe se atje janë, ndoshta, vetëm dhjetë!” – “Unë nuk do ta zhbij për shkak të atyre të dhjetëve.”
Fjala e Zotit.


Psalmi 138

Skamnori thërret, e Zoti e dëgjon
- - - - - - - - - -
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit
tënd të shenjtë.
- - - - - - - - - -
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë,
ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
- - - - - - - - - -
Do të të lavdërojnë, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit;
sepse i lartë është Zoti e i shikon të përvujtët,
e prej së largu i dallon krenarët.
- - - - - - - - - -
Kur të më duhet të eci
në mes të vështirësive, ti ma ruaj jetën,
shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi,
e më shpëto me të djathtën tënde.
- - - - - - - - - -

Leximi i dytë Kol 2, 12-14

Të jesh i pagëzuar do të thotë të ndjekësh Krishtin që iu dorëzua vdekjes, duke besuar në një Hyj që është i aftë të përmbysë vdekjen në ringjallje.
Nuk bëhet fjalë të ruhemi nga rreziqet e jetës, por të mbështesim egzistencën tonë mbi besimin në Krishtin Jezus, duke iu besuar dashurisë dhe faljes së Hyjit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, të varrosur bashkë me Krishtin në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit. Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona, Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq.
Fjala e Zotit.


ALELUJA, aleluja.
Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni.
Ati juaj e di se për çka keni nevojë.
Aleluja.


Ungjilli Lk 11, 1-13

Jezusi na mëson të lutemi. Ai kur lutet nuk i kërkon Atit të tij të realizojë plane materiale, por kërkon vetëm bashkimin me Të dhe zbatimin e vullnetit të Tij. Nga mësimi i Jezusit kuptojmë se Hyji nuk është një kryetar shteti i fuqishëm, që u ndan nënshtetasve të tij, sipas tekave të tij, hiret që i kërkojnë. Ne mundet vetëm të ofrojmë zemrën tonë dhe të presim nga miqësia e tij që Ai tu përgjigjet nevojave tona me dhuratën e Shpirtit.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”
“Kur të luteni – u tha Jezusi– thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!” Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë’, e ai prej brenda iu përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.
Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë?”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.