2010-07-23 16:48:30

Sot Kisha kremton Shën Brixhidën e Suedisë, bashkëpajtore e Evropës, mistike në shërbim të të varfërve.


Kisha kremtoi sot kujtimin liturgjik të Shën Brixhidës së Suedisë, bashkëpajtore e Evropës. Fisnike nga lindja, e përkushtuar të varfërve, bashkëshorte e nënë e tetë fëmijëve, mistike e themeluese e Urdhërit të të Shenjtnueshmit Shëlbues, vdiq më 23 korrik të vitit 1373 e u shpall shenjtore nga Bonifaci IX, në vitin 1391. Për karizmën e kësaj Shenjtoreje, të dëgjojmë atin Rafael Tosto, famullitar i Kishës së Shën Brixhidës, në Napoli të Italisë:

Përgjigje: - Është shenjte e madhe, shumëplanëshe, që ka si tipar themelor dashurinë e plotë ndaj Krishtit e nga Krishti, e sjell pastaj dashurinë e saj në Kishë, për të cilën jeton, ecën, lufton. E, përmes Kishës, lufton për mbarë njerëzimin. Jeta e saj e përditshme lidhet me punët e zakonshme njerëzore, me familjen. Si grua, si bashkëshorte, si nënë, si vejushë, si rregulltare, ka një mori thirrjesh. Ta njohësh Shën Brixhidën, do të thotë të njohësh një figurë jashtëzakonisht të bukur, të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Krishtin, me Kishën, me njerëzimin. Jetoi shtatë shekuj më parë, në vitet 1300, por ka pikërisht atë aktualitet e atë prani karizmatike, që e kërkojnë edhe sot njerëzit dhe populli i Zotit.

Pyetje: - Motoja e Shën Brixhidës ishte “Dashuria ime është i Kryqëzuari”: cila është vlera e këtyre fjalëve?

Përgjigje: – Duke kundruar kryqin, ajo pa dashurinë më të madhe, të kryqëzuar për njerëzit. E ndjeu, më pas, se kjo Zemër ishte e hapur edhe për të. Atëherë e shprehu dashurinë e pakufishme me lutjet e saj të famshme, që njihen si lutjet e Shën Brixhidës. S’janë gjë tjetër, veçse kundrim mahnitës i Mundimeve të Krishtit, por jo në kuptimin e dhimbshëm. Ajo e shikon të Kryqëzuarin në këndvështrimin e lumnisë, të Pashkëve të ngjalljes, prandaj mund ta quajmë kundrim i gëzueshëm i Mundimeve të Krishtit, në të cilin vdekja e ringjallja bëhen një gjë e vetme.

Pyetje: - Shën Brixhida është bashkëpajtore e Evropës: ç’i kujton sot Kontinentit, që duket gjithnjë më i shekullarizuar?

Përgjigje: - Ishte një mendim i bukur, ai i Gjon Palit II, i cili më 1 tetor 1999 shpalli bashkëpajtore të Evropës Shën Katerinën e Sienës, Shën Edit Shtain e Shën Brixhidën. Papa i propozoi si pikë referimi, edhe pse sot shikojmë shumë përçarje, copëzime: ndërsa tri shenjtoret, secila në kohën e vet e në stilin e vet, u propozuan popujve të Evropës rrugën e bashkimit. Ishin zëra profetike, shtonte Papa në sa i shpallte bashkëpajtore të Evropës, duke nënvizuar: “Nga këto bashkëpajtore, mund të frymëzohen edhe qytetarët e shteteve evropiane, të impenjuar sinqerisht në kërkim të së vërtetës e të së mirës së përbashkët”.

Pyetje: - Për gratë, në mënyrë të veçantë, Shën Brixhida është vërtetë model i shkëlqyer…
 Përgjigje: - Pa tjetër. Këtë e them edhe gjatë ushtrimit të misionit tim baritor. Ne kemi këtu një ‘kapiten skuadre’, që është shumë pranë nesh me frymën e saj thellësisht njerëzore, me femërsinë e saj. Ajo ishte edhe shtegtare, që shkeli në shumë vise të Evropës, në një kohë kur shtegtimi nuk ishte aspak i lehtë. E të mendosh, pastaj, se kishte tetë fëmijë. Prandaj secili gjen tek Shën Brixhida një aspekt vërtet të bukur, tërheqës, aktual.







All the contents on this site are copyrighted ©.