2010-07-23 19:37:36

Reagime pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës


Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 “nuk dhunon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, as kuadrin kushtetues”: me këto fjalë Gjykata e Drejtësisë në Hagë shprehu dje vendimin e saj mbi pavarësinë e Prishtinës nga Beogradi. Megjithëse me vlerë këshilluese, prononcimi i Gjykatës shkaktoi reagime zinxir.
Në Prishtinë e Beograd, lajmi u prit, siç është e natyrshme, me mënyra diametralisht të kundërta. “Kjo është ditë historike”, deklaroi kryeministri kosovar, Hashim Thaçi. “Vazhdojmë luftën”, u përgjigj ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, duke lajmëruar se Beogradi ka ndërmend ta çojë çështjen para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator.
Beteja transferohet tani në frontin politik. Prishtina, ashtu siç kërkoi mbrëmë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, do të përpiqet të fitojë njohjen e sa më shumë shteteve të jetë e mundur, ndërsa Beogradi do të punojë për kufizimin e njohjeve, në mënyrë që të ketë shanse për të miratuar një rezolutë të favorshme për serbët. Gjithsesi, kjo perspektivë mbetet mjaft irreale në këtë çast.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën do të jetë edhe njëra nga temat e nxehta në rendin e ditës së Këshillit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, i cili do të mblidhet të hënën në Bruksel. Krerët e 27 diplomacive evropiane do të analizojnë ndikimin e këtij vendimi në perspektivat e integrimit të krejt zonës së Ballkanit dhe pasojat mbi aspirata të tjera për ndarje në Evropë. Dje, zv.presidentja e Komisionit të Brukselit, Katrinë Ashton u bëri thirrje Beogradit e Prishtinës të rifillojnë dialogun, duke u garantuar rolin e ndërmjetësuesit nga ana e Bashkimit Evropian e duke përsëritur se të dyja shtetet e kanë të ardhmen në institucionet evropiane. Gjithçka varet nga mënyra e sjelljes dhe e veprimit.
Të dëgjojmë komentin e profesorit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, në mikrofonin e don David Gjugjës...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.