2010-07-23 16:48:48

Patriku i Moskës, Kirill, në Ukrainë për të kapërcyer përçarjet ndërmjet ortodoksëve


Qëndrimi i Patrikut të Moskës dhe të të gjithë Rusive, Kirill, vijon të përkojë me atë të Papës Benedikti XVI për shumë tema morale, duke pohuar, kështu, gatishmërinë e Kishës ortodokse ruse për bashkëpunim me atë katolike, në këtë front. “Vija aktuale, që po ndjek Papa, ngjall shumë optimizëm”, deklaroi pasardhësi i Aleksejt II në një intervistë, dhënë agjensisë Interfax.
Papa, tha Patriku para se të nisej për një vizitë në Ukrainë, kritikohet shpesh nga teologët liberalë e nga mjetet perëndimore të komunikimit, por jo nga Kisha ortodokse ruse: përkundrazi, për shumë probleme të mprehta, me rëndësi publike e morale, vija e tij përkon me tonën. E kjo, shtoi, na krijon mundësitë t’i mbrojmë vlerat e krishtera së bashku me Kishën katolike, posaçërisht përballë organizatave ndërkombëtare e në arenën botërore. Duke kujtuar orientimet e disa rrymave liberale të protestantizmit bashkëkohor, Patriku rus theksoi se janë fenomen tepër i rrezikshëm, sepse synojnë të përligjin, edhe në gjirin e vetë Kishës, sjelljet që propozon shoqëria e shekullarizuar, krejt në kundërshtim me vlerat fetare.Si rezultat, fjalët e filozofisë liberale laike përsëriten në Kishat protestante e rrënjosen në mendimin fetar. Mjafton të kujtosh shugurimin e grave, fenomen që nisi në botën perëndimore, kur koncepti shekullar i të drejtave të njeriut u përfshi në teologjinë e në praktikat kishtare. Rast tjetër është edhe ai i homoseksualitetit, i cili përligjet duke shtrembëruar Fjalën e Zotit, për t’ia përshtatur standardit të mendimit liberal.







All the contents on this site are copyrighted ©.