2010-07-23 19:37:49

Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji përshëndet vendimin e GJND-së që sanksionon pavarësinë e Kosovës.


Menjëherë pas shpalljes së parimit të GJND-së mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ipeshkvi katolikë i Kosovë imzot Dodë Gjergji shprehi vlerësimin e tij pozitiv duke e konsideruar këtë akt të GJND-së si miratim të mëtejshëm e përfundimtar të ngjarjes historike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe përurim të një periudhe të re të historisë së shtetit më të ri demokratik të Evropës. Ja deklarata e ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergjit me shkrim dhe me goje..RealAudioMP3
 
Prishtinë, 23.07.2010

Deklaratë e ipeshkvit të Kosovës

Ipeshkvia e Kosovës, në krye me Ipeshkvijtë e vet, përherë ka mbështetur synimet e popullit dhe me një kujdes të veçantë ka përcjellë gjitha ngjarjet duke dëshmuar para faktorëve të jashtëm se populli i Kosovës është i vuajtur dhe paqedashës, prandaj ka të drejtë të ketë të gjitha të drejtat dhe liritë që i gëzojnë popujt e qytetëruar.
Njëkohësisht jemi përpjekur, me të gjithë faktorët relevantë brenda vendit, që të ruhen vlerat universale njerëzore dhe ashtu siç jemi përpjekur t’i mbrojmë të drejtat dhe liritë tona, duhet angazhuar për të mos cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve rreth nesh.
Ne përgëzojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që në situata shumë të vështira dhe në rrethana të pavolitshme, nëpërmjet përfaqësuesve të vet legjitim, kanë arrit të shtyjnë para proceset pozitive deri te akti final i shpalljes së Pavarësisë, duke u mbështetur mbi të drejtën dhe drejtësinë. Ndihemi të lumtur që ne, Kishë katolike në Kosovë, ishim dhe jemi pjesë e këtyre proceseve të rëndësishme sidomos me lutjet tona të përditshme dhe me angazhimin tonë pa rezervë për paqe, pajtim dhe drejtësi për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Mendimi këshillëdhënës që dje e publikoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte një dëshmi që, e drejta e popullit tonë për të jetuar i lirë dhe i pavarur në shtetin e Kosovës, është një e drejtë legjitime e popullit të saj, kjo e drejtë nuk e cenon të drejtën universale të familjes së popujve të botës.
Me këtë rast, si ipeshkëv dhe bari i grigjës, ftoj të gjithë njerëzit në Kosovë që të vazhdojnë të jetojnë në paqe, duke u angazhuar edhe më tutje për të siguruar bashkëjetesë në paqe, drejtësi dhe angazhim për të ndërtuar, edhe më tutje, të ardhmen tonë të mbështetur në të drejtën dhe drejtësinë.
Lus Zotin, që shtetet të cilat akoma nuk e kanë konfirmuar njohjen e Shtetit të Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë që të jetë e mundur, sepse sa më parë të përfundojnë kontestimet në këtë hapësirë të Evropës, aq më parë do të krijohen kushtet për paqe të qëndrueshme, pajtim mes popujve dhe bashkimi i tyre në Familjen Evropiane.
+ Dodë GJERGJI
Ipeshkëv







All the contents on this site are copyrighted ©.