2010-07-22 16:03:38

Bamirësia e Papës për viktimat e fatkeqësive natyrore e të luftës


(22.07.2010 RV)Një delegacion i Këshillit Papnor “Cor Unum”, dikasteri vatikanas që shpërndan ndihmat e Atit të Shenjtë, shkoi sot në Haiti, gjashtë muaj pas tërmetit, që shkaktoi viktima e dëme të shumta. Do të dorëzojë 250 mijë dollarë amerikanë si pjesë e parë e fondit për rindërtimin e shkollës së Shën Françeskut të Sales në kryeqytetin haitian Port-au-Prince. Nuk është thjesht një kontribut ekonomik, por dëshiron të shprehë afërsinë e Benediktit XVI me viktimat e tërmetit. Delegacioni do të vizitojë edhe kampet e refugjatëve të Kishës Katolike e do të kremtojë Meshë në njërin prej tyre.
Shpesh besimtarët pyesin se ku i gjen Papa këto fonde? Vërtet, Ati i Shenjtë arrin të ndihmojë personat në nevojë, falë dhuratave që i bëjnë katolikët e mbarë botës. Këto të holla shpërndahen më pas nga Këshilli Papnor “Cor Unum” mbi bazën e direktivave të Papës.
Në vitin 2009, bëjnë të ditur burime të dikasterit vatikanas, Benedikti XVI mundi të ndihmojë me 1.869.000 dollarë amerikanë 25 vende, ku ka pasur emergjenca të ndryshme, nga fatkeqësi natyrore e deri tek luftrat e shkaktuara nga njeriu. Vihet re një rritje e ndihmës së Atit të Shenjtë nga viti në vit, për këtë qëllim, gjë që do të thotë se përveç shtimit të donacioneve, janë shtuar edhe emergjencat.
Papa mbështet edhe zhvillimin e përgjithshëm, për të cilin në vitin 2009, ka dhënë 2.304.000 dollarë për projekte në 45 vende. Kjo ndihmë e Atit të Shenjtë jepet edhe përmes dy Fondacioneve. I pari, Fondacioni “Gjon Pali II për Sahelin”, i impenjuar në luftën kundër thatësirës e në nxitjen e zhvillimit të popullsive afrikane të zonës së Sahelit, vitin e kaluar ka përfituar një shumë prej 2.300.000 dollarësh. Fondacioni tjetër është “Populorum Progressio”, i cili është mbledhur këto ditë në Republikën Domenikane për të diskutuar mbi financimin e 230 projekteve në 20 vende. Gjatë vitit të fundit, ky institucion i themeluar nga Gjon Pali II, ka shpërndarë ndihma për një shumë prej 2.128.500 dollarësh.
Pra, në vitin 2009, shuma e përgjithshme e ndihmës së Benediktit XVI ka arritur në 8.601.500 dollarë, por nuk është e plotë. Papa ofron ndihma edhe përmes kanaleve të tjera, siç është iniciativa “Njëqind projekte të Atit të Shenjtë”, me anë të së cilës, duke filluar nga Jubileu i vitit 2000, Kishat e vendeve të pasura janë ftuar të ndihmojnë ato më të varfërat në realizimin e 100 projekteve të frymëzuara nga shtatë veprat e mëshirës.
Në të vërtetë, projektet e paraqitura e kalonin shifrën 200, me një shumë prej 20.000.000 dollarësh, prandaj për realizimin e tyre kanë kontribuar edhe disa agjenci katolike në ndihmë të vendeve në zhvillim. Një nga efektet më të rëndësishme e më të qëndrueshme të kësaj iniciative ka qenë lidhja e dioqezave ndërmjet tyre e vazhdimi i aktivitetit mbi bazën e këtij vëllazërimi.
Çdo njeri mund të bashkëpunojë drejtpërdrejt për bamirësinë e Papës. Kush ka interes për këtë mund të konsultojë faqen e internetit të Këshillit Papnor “Cor Unum”, duke hyrë në faqen zyrtare të Vatikanit www.vatican.va e duke klikuar në “Curia Romana – Pontifici Consigli – Cor Unum”.







All the contents on this site are copyrighted ©.