2010-07-21 17:07:27

Sinodi për Lindjen e Mesme: Me patrikun e Cilicisë së Armenëve, në kërkim të bashkimit të humbur, në një tokë të etur për paqe.


Vuajtje e varfëri, mungesë e plotë perspektivash për të gjetur punë, pasiguri për të ardhmen, humbje e vazhdueshme e identitetit të krishterë, për shkak të përhapjes së vrullshme të shekullarizimit: këto janë sfidat, para të cilave ndodhen katolikët e Lindjes së Mesme, pa llogaritur që shpesh këtyre, u shtohet edhe persekutimi nga ana e bashkësive më të mëdha. E këto janë edhe arsyet kryesore, që shkaktojnë hemorragjinë e krishterë të Lindjes së Mesme: ikjen, largimin përgjithmonë nga trojet e Jezusit. Këtë e pohon, në një intervistë dhënë gazetës vatikanse ‘L’Osservatore Romano’, Fortlumturia e Tij Nerses Bedros XIX, patrik i Cilicisë së Armenëve në Liban, njëri nga patrikët e Lindjes së Mesme, të cilit Benedikti XVI i dorëzoi, më 6 qershorin e kaluar, në Qipro, Instrumentum laboris të asamblesë së posaçme të sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme i cili, siç dihet, do të mbahet nga 10 deri më 24 tetor, në Vatikan.

Pyetje: - Pas dy muajsh do të jetoni përvojën e fortë të asamblesë sinodale. Ç’pret bashkësia juaj nga kjo ngjarje e madhe?

Përgjigje: - Shpresojmë, para së gjithash, që takimi i madh t’i japë freski të re mesazhit ungjillor. Duhet t’u komunikojmë besimtarëve tanë, gëzimin e krenarinë e përkatësisë së krishterë, duhet të punojmë në mënyrë që ta ndjejnë thellë përgjegjësinë që kanë në familje, në mjedisin e punës e kudo, të thirrur siç janë për të dhënë kudo dëshminë e tyre. Sidomos në politikë, duke kontribuar që gjithë jeta politike në vend, të përshkohet nga fryma e drejtësisë dhe e barazisë. Duhet të jetojmë me bindje, atje ku dëshiron Zoti, për të qenë dritë, kripë e tharm në mjediset, ku jemi të thirrur të japim dëshminë tonë. E, pastaj, shpresojmë se më në fund edhe mbi horizontet e trojeve tona do të zbardhë agimi i paqes, do të nisë stina e re e sigurisë, do të davariten retë e zeza të tensioneve politike. Si barinj, urojmë, mbi të gjitha, që katolikët ta ndjejnë më shumë identitetin e tyre, si bij të Krishtit.

Pyetje: - Pse? Mendoni se sot u mungon ky identitet?

Përgjigje: - Them se në shumë raste e ndjejnë veten më tepër anëtarë të ndonjë konfesioni a të ndonjë riti të veçantë, sesa të fesë së krishterë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Të shikosh se të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë e evangjelikë e duan njëri-tjetrin, se bashkëpunojnë, për të dhënë dëshmi uniteti, për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit, do të ishte sigurisht hir i Hyjit. Dihet se përçarjet e të krishterëve e pengojnë kumtimin e Ungjillit e, për më tepër, janë shkandull për jo të krishterët. Të krishterët e përçarë nuk mund të jenë plotësisht të besueshëm si dishepuj të Krishtit, që vijon të predikojë dashurinë e bashkimin. Është njëlloj e rëndësishme që katolikët ta ndjejnë e ta jetojnë me guxim identitetin e tyre si Kishë, në bashkim me Kishën universale, me Kishën e Romës, por edhe me kishat e tjera motra të Lindjes së Mesme. Kjo është themelore, në se duam t’u japim përgjigje konkrete sfidave të shumta, që duhet të përballojmë.

Pyetje: - Për ç’sfida flisni?

Përgjigje: - Janë të tipeve të ndryshme. Kujtoj sidomos varfërinë. Po merr gjithnjë më tepër pamjen e dramës shoqërore. Situata po bëhet e padurueshme. Shtohet çdo ditë numri i njerëzve, që detyrohen të jetojnë në kushte mjerimi, sepse u mungojnë edhe gjërat më fillestare. E kjo sjell me vete një ndryshim të vazhdueshëm në gjirin e shoqërisë së Lindjes së Mesme: klasa e mesme tashmë është në zhdukje e sipër, njerëzit o janë tejet të varfër, ose jashtëzakonisht të pasur. Sot po shtohet edhe numri i pasanikëve të mëdhenj. Ata pak, që kanë mbetur, nuk duan të investojnë në vend: pëlqejnë viset e huaja, sepse sigurojnë më shumë fitime e natyrisht, edhe jetojnë më mirë. Atëherë kushtet e jetesës së nevojtarëve, vijojnë të bëhen gjithnjë më të padurueshme. Nuk kanë para për të paguar qera, që të sigurojnë një strehë mbi kokë, e aq më pak, për t’u mjekuar, ndërsa mundësia për të gjetur punë bëhet gjithnjë më e vështirë. Ato familje, që deri tani e kishin të paktën babain në punë, dridhen nga frika e pushimit, në atmosferën e thellimit të krizës, e cila në këto troje rëndon më tepër se gjetiu. Atëherë nisin të kërkojnë punë fëmijët, bijtë e bijat, duke flijuar, që në moshë të njomë, mundësinë për të ndjekur shkollën. Kësaj situate dramatike i shtohet edhe mungesa e sigurisë, problem i përbashkët për të gjithë Lindjen e Mesme, zonë ku konfliktet nuk pushojnë kurrë. Ka pesë vjet që Libani nuk e di ç’është paqja.

Pyetje: - Prandaj ikin të krishterët?

Përgjigje: - Sigurisht, këto janë shkaqet kryesore, që i detyrojnë të krishterët të emigrojnë me gjithë familje. Përgjithësisht familjet mundohen të rezistojnë, por të rinjtë nuk presin. Ikin, edhe pa i pyetur fare prindërit.

Pyetje: - Si i ndihmoni besimtarët, kaq nevojtarë?

Përgjigje: - Kërkojmë, sidomos, t’u ringjallim shpresat. E nuk është aspak e lehtë. Madje shpesh shikojmë si shuhet sakaq, ajo pak frymë optimizmi, që mundem të ngjallim në zemrat e tyre. Nuk kanë më besim në ardhmërinë. E, në këto kushte, është vështirë t’i bindësh të mos ikin, t’ua mbushësh mendjen se kanë përgjegjësi për këto troje, si të krishterë që janë. Pastaj mundohemi të ngjallim edhe frymën e solidaritetit. Por jo gjithnjë ia dalim mbanesh: për fat të keq vërejmë se kush pasurohet, jo gjithnjë sillet krishterisht.

Pyetje: - Mendoni, kështu, se mungon vizioni i krishterë i jetës?

Përgjigje: - Po, problem është edhe ky: mungesës së mundësisë për të jetuar me dinjitet si njerëz, i shtohet edhe mungesa e vizionit të drejtë, si të krishterë. Shumë të krishterë po i rrëmben fryma e shekullarizimit, që thellohet gjithnjë më shumë në shoqëritë tona, duke sjellë me vete abortin, kufizimin e lindjeve, mungesën e thirrjeve për jetën meshtarake… e kjo peshon rëndë mbi jetën e Kishës…

Pyetje: - Janë këto problematikat, që do të diskutohen në Sinodin e ardhshëm, Instrumentum Laboris të të cilit e morët në Qipro, nga dora e vetë Papës?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, kuptova epitetin ‘lajmëtar i paqes”, që përdoret për Papën. E tregon mënyra si u prit në Qipro, ku shkoi pikërisht si shtegtar e paqëtues, në troje ku ekzistojnë tensione jo të pakta ndërmjet të krishterëve e myslimanëve të ishullit. E gjithë vizita e Papës kishte një qëllim të madh: të siguronte, në radhë të parë, unitetin ndërmjet nesh, të krishterëve, para se të mendojmë për bashkëpunimin me të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.