2010-07-21 15:30:29

Shqipëri: krimet e 45 viteve të diktaturës komuniste, propozohen kandidatët për hetues


Komisioni i Ligjeve shqyrtoi kandidaturat e propozuara për anëtarë të bordit të Institutit të Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Instituti i i studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës komuniste.
Deputetja Arenca Trashani relatore e shqyrtimit të kandidaturave për anëtarë të këtij instituti tha se anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë kontribut si dhe krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit e të detyrave të tij.
Deputetja Trashani tha se anëtarët e bordit zgjidhen për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë dhe se mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Anëtarët e Komisionit u njohën me emrat e kandidatëve të propozuar për anëtarë të bordit. Ndërkohë komisioni do të bëjë verifikimin e përputhshmërisë ligjore të këtyre kandidaturave për dy arsye ligjore lidhur me subjektet propozuese dhe plotësimin e kërkesave.
Sipas relatores Trashani, kandidaturat përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara. Instituti është institucion publik, qendror, i pavarur dhe gëzon statusin e personit juridik.







All the contents on this site are copyrighted ©.