Një fjalë shprese ndërmjet vështirësive të kohës sonë: reflektime të Papës mbi Ungjillin.
(21.07.2010 RV)Liturgjia e sotme, me shembëlltyrën e mbjellësit, na përsërit
ftesën për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për ta vënë atë në jetë. Është edhe nxitje
për ta ruajtur e për ta përhapur shpresën, në një botë të përmbytur nga fjalët e së
keqes. Benedikti XVI, gjatë papnisë së tij, e ka shpjeguar në shumë raste këtë faqe
ungjillore. Begatisht e falas – nënvizon Papa – Zoti e hedh farën e fjalës së vet,
duke e ditur mirëfilli se mund të bjerë në truall të papërshtatshëm, ku nuk mund të
mbijë, as të rritet, për shkak të thatësirës, ose të gjembave, që ia thithin gjithë
forcën jetike: “Gjithsesi, mbjellësi nuk e humbet guximin, sepse e di që një
pjesë e kësaj fare, do të bjerë në tokë të mirë, domethënë, në zemra të zjarrta, të
afta për ta mikpritur Fjalën e Zotit me gatishmëri, që të mbijë, të rritet e të japë
bujarisht fryte, për të mirën e shumëkujt”(Fjalim mbi punën baritore
për thirrjet meshtarake, 4 korrik 2009). Fara është e vogël, gati e padukshme.
E kështu edhe Fjala e Zotit: “Por në të është e pranishme ardhmëria, sepse fara
ka në gjirin e vet bukën e së nesërmes, jetën e së nesërmes. Fara duket krejt e parëndësishme,
por ajo është prania e së ardhmes, është premtim i pranishëm që sot. Kështu, me këtë
shembëlltyrë, Zoti na thotë: jemi në kohën e mbjelljeve; Fjala e Zotit duket thjesht
fjalë, gati-gati asgjë. Por kini guxim, kjo fjalë mbart në vetvete jetën. E sjell
shumë fryt!” (Takim me klerin në Aosta, 25 korrik 2005). Shembëlltyra,
pohon Papa, na lë të kuptojmë se duhet të jemi guximtarë, ndonëse në dukje Fjala e
Zotit nuk bie shumë në sy, ndërmjet zhurmave të botës. Fara, si kokrra e grurit, sjell
fryt duke vdekur. Jezusi vetë është fara, që vdes. Kur Ai kryqëzohet, duket se gjithçka
merr fund, por pikërisht përmes këtij dështimi, në dukje, fara i shndërron mjerimet
e botës, duke lindur jetën e vërtetë: “Pa vuajtje, nuk mund të shndërrohet asgjë...
Duhet t’i kemi në zemër tonë vështirësitë e kohës sonë e t’i shndërrojmë, duke vuajtur
bashkë me Krishtin e duke shndërruar, kështu, edhe vetveten. E në atë masë që të shndërrohemi,
do të mund ta shikojmë Mbretërinë e Hyjit e t’i bëjmë edhe të tjerët ta shohin” (Takim
me klerin në Aosta, 25 korrik 2005). Papa na bën thirrje të jemi dëshmitarë
të Fjalës së Zotit, në një botë, që e ka humbur shpresën. Një botë, të cilën nganjëherë
e kemi më të lehtë ta dënojmë, sesa ta shpëtojmë: “Miq të dashur, të jeni mbjellësit
e besimit e të shpresës... kjo mund të jetë ora e Hyjit… Fjala e Zotit mund të bëhet
vërtet dritë e forcë, burim shprese, mund të hapë udhën, që kalon përmes Jezusit:
‘udha’ e ‘porta’; përmes Kryqit të tij, që është dashuri e përkryer” ”(Fjalim
mbi punën baritore për thirrjet meshtarake, 4 korrik 2009).