Me 21 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindisi, meshtar e doktor
i Kishës
(21.7.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Lorencin nga
Brindisi.Në pagëzim u quajt Jul Qesari. Lindi në Brindisi, në familjen fisnike, por
tashmë të varfëruar, të Gulielm Russoit e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i jati,
ndërsa e ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë,
të pangushëllueshme. Duke qenë tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes
një nga xhaxhallarët, i cili edhe e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte
në Venedik, ku u njoh me kapuçinët. Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik.
Në vitin 1582 Juli u bë fra Lorenci nga Brindisi. Ishte njeri i librave, njohës
i thellë i Biblës, të cilën e dinte përmendësh në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u
bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtëzakonshme, kishte
edhe zë të bukur e pamje madhështore. Urdhri e dërgoi në vendet më të vështira,
në Bohemi, për shembull, ku popullata ishte shkëputur nga Kisha. U prit me armiqësi,
por nuk hoqi dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të predikonte me zjarr, të pajtonte
armiqësitë, të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me që fjala e tij përkonte plotësisht
me mënyrën si jetonte, nisën ta respektonin edhe kundërshtarët më autoritarë të cilët,
duke e ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin
e Krishtit në Kryq, që përsëritej në elter. Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit
aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhrit, si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët
e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”. Papët e princat evropianë i besuan misione
të vështira diplomatike. Për tri vjet Fra Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napolitanët,
që nuk mund ta duronin më dukën Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të
Spanjës. Më 1619, pikërisht në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin
III në dobi të napolitanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori
me vete në sa mbushte 60 vjeç. U shpall shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin
1881. Shkrimet e tij mbetën të panjohura deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956.
E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës,
me cilësimin Doktor apostolik.