2010-07-21 14:36:49

Gjykata e Hagës urdhëron proces të ri për Haradinaj


Dhoma e Apelit vendosi paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt e Balajt pasi kishin munguar dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës sot ka anuluar pjesërisht vendimin e Gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt. Dhoma e Apelit me shumicë votash ka urdhëruar rigjykim të pjesshëm lidhur me rastin. Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të gjitha rrugët në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit.
Apeli ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve. Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera. Gjykata ka vendosur paraburgimin e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt deri në një vendim të ardhshëm. Ndërkohë, koordinatori i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj, Majkëll O'Relli, përmes një komunikate për media, ka thënë se ekipi është i befasuar me vendimin e sotëm të Dhomës së Apelit.
"Ekipi Mbrojtës i z. Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçka që ne s'kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy viteve", është shprehur O"Relli. "Për ne tanimë çështjet më me rëndësi janë, së pari, që të sigurojmë kthimin e shpejtë të z. Haradinaj në Kosovë dhe, së dyti, të caktohet sa më shpejt data e rigjykimit të pjesshëm", ka thënë O'Relli, duke sqaruar se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi mbrojtës ta ketë studiuar të gjithë materialin. Ndryshe, Majkëll O'Relli, ka cituar një deklaratë të Haradinajt para shkuarjes në Hagë, i cili kishte theksuar se zhvillimet e fundit rreth rastit të tij duhet të shihen në një kontekst më të gjerë.
"Kosova ka bërë progres të madh, dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë në institucionet ndërkombëtare përkundër prapakthimeve të përkohshme", është cituar të ketë thënë Haradinaj. Ai po ashtu, citohet të ketë thënë se çështja më me rëndësi sot është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës. "Duhet të garantohet ecja e Kosovës tutje në procesin e integrimit në bashkësinë e kombeve", citohet të ketë thënë Haradinaj..
O'Relli thotë se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi mbrojtës ta ketë studiuar të gjithë materialin.

Ndërkohë Partia e Haradinajt AAK sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp,pohon se është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, për rigjykimin e Haradinajt.
Lajmi për rihapjen e pjesshme të gjykimit të Ramush Haradinajt, kryetar i AAK së, është një lajm shumë i keq për AAK-në, për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës, thuhet në një deklaratë të kësaj partie. Më tej theksohet se "AAK është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të Shkallës së Parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave". Në deklatarën e AAK-së konstatohet se "si në marsin e vitit 2005, kur u shpall Aktakuza e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, ashtu edhe tani, në korrikun e vitit 2010, kur u mor vendimi për rihapjen e pjesëshme të Gjykimit të Haradinajt, Kosova përballet me sprova të mëdha politike dhe të sigurisë".
Gjithashtu AAK është e bindur "që proceset politike në Kosovë, veçmas ato që do të pasojnë në vijim të shpalljes që qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, këtë të enjte, me 22 korrik, do të dëmtohen thelbësisht".
Por AAK shprehet e sigurt se edhe në rigjykimin e pjesshëm që do të pasojë, shpreson "sa më parë që është e mundur që Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK së, do të shpallet plotësisht i pafajshëm". Me këtë rast AAK u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që "të tregohen të matur dhe të pjekur si edhe herave të tjera, kur Kryetari i AAK së, me shembullin e vet personal, ka treguar se si duhet të sillemi kur përballemi me sprovat e tilla".







All the contents on this site are copyrighted ©.