2010-07-21 17:05:39

Benedikti XVI, i shtati papë në histori për nga mosha, pas vitit 1400


(21.07.2010 RV)Më 19 korrik, Benedikti XVI është bërë i shtati papë në histori për nga mosha, pas vitit 1400. Ideatori i kësaj liste të veçantë, e cila prej dy ditësh po qarkullon në internet, është ekspert i sistemeve IBM të informatikës e këshilltar i shumëkombësheve në sektorin teknologjik. Quhet Anura Gurugé dhe ka një pasion të deklaruar për historinë e papëve e të katedraleve. Në vendin e parë të listës është Papa Leoni XIII, që u nda nga kjo jetë më 20 korrik 1903, në moshën 93-vjeçare.
Në të vërtetë, siç pohon edhe vetë autori, kjo statistikë është relative, pasi në të janë marrë parasysh vetëm papët që nga viti 1400 e deri në ditët tona. Të dhënat e mëparshme janë pak të besueshme. Një kolonë kurioze e tabelës së Gurugé është ajo e përqindjes së jetës, që një person e ka kaluar në shërbimin papnor. Me 31 vjetët e tij, nga 1846-a në 1878, vendin e parë e zë Papa Piu IX, i cili ka qenë papë për një të tretën e jetës. Kjo statistikë është thjesht kuriozitet, por nëse duam të shkojmë më tej, të ndalemi për të medituar mbi fjalët e Benediktit XVI në nëntorin e vitit 2008:
“Pleqëri vërtet e nderuar nuk është vetëm mosha e madhe, por urtia dhe pastërtia e jetës, pa ligësi… Bota e quan me fat atë që jeton gjatë, por Zoti, më shumë se moshën, sheh zemrën. Bota u beson “dijetarëve” dhe “të mençurve”, ndërsa Zoti preferon ‘të vegjlit’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.