2010-07-20 16:56:19

Në Pakistan vriten dy të krishterët e arrestuar për blasfemi. Gjyqi do t’i lironte.


(20.07.2010 RV)U zhvillua sot paradite në Pakistan funerali i dy vëllezërve të krishterë, vrarë nga fondamentalistët islamikë të dielën, në dalje të gjykatës së Faisalabadit. Kishtë përfunduar seanca gjyqësore dhe dy personat, arrestuar muajin e kaluar se po shpërndanin fletushka, që u konsideruan blasfeme, po ktheheshin në burg. Sipas burimeve lokale, dy vëllezërit do të liroheshin ditët e ardhshme e gjykata do të hidhte poshtë akuzat kundër tyre. Por dënimi i dy të krishterëve, një pastor protestant dhe i vëllai, ishte dhënë nga minarja e hoxhës së vendit. Tani, Kisha Katolike dhe qeveria pakistaneze po bashkëpunojnë që urrejtja e dhuna të mos shkojnë më tej.
Tensioni është rritur që javën e kaluar. Hedhja e gurëve kundër kishës së Rruzares Shenjte në Faisalabad i detyroi shumë familje të krishtera të largohen nga qyteti e ligji kundër blasfemisë parashikon burgim të përjetshëm për ata që fyejnë Kuranin e dënim me vdekje për ata që fyejnë Muhametin. Por jo të gjithë janë dakord. Të dëgjojmë një meshtar nga vendi, atë Anxhum Nazir:
“Jo vetëm të krishterët, por edhe myslimanët, njerëzit e mirë, e dënojnë këtë ligj. Edhe në rastin e dy vëllezërve të vrarë, qeveria u përpoq të bëjë ç’është e mundur për ta mbajtur gjendjen nën kontroll, por fondamentalistët i vranë pikërisht para gjykatës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.