2010-07-20 17:55:31

Mbretëri e Bashkuar: famullitë mbledhin 500 mijë sterlina për Ditën Kombëtare të jetës.


(20.07.2010 RV)Më shumë se 500 mijë sterlina në dy vjet. Kjo është shuma që famullitë e Mbretërisë së bashkuar arritën të mbledhin gjatë 2008-2009 me rastin e Ditës kombëtare të Jetës që kremtohet në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandë në data të ndryshme. Shuma e mbledhur, lajmëron agjencia e ipeshkvijve CCN, do të përdoret për të financuar projekte dhe nisma në mbështetje të jetës në këtë vend.
Në listën e atyre që do të përfitojnë nga kjo shumë bëjnë pjesë “Anskombë Bajoethik Sentër” që do të marrë 100 mijë sterlina; “Siti pregnansi Kaunseling Saikotherapi” i Londrës, një institut katolik ky i impenjuar në asistencën psikologjike për gratë, burrat dhe çiftet që përjetojnë problemin e shtatzanisë së padëshiruar, humbjen e një fëmije ose probleme të tjera të kësaj natyre.
Në listë është edhe Prof. Nil Skolding i Institutit të Neuro-Shkencave të Universitetit të Bristolit që përfitoi një bursë studimi prej 25 mijë sterlinash për një program kërkimor shumë premtues për qelizat staminale të palcës kurrizore. Me të hollat e mbledhura do të paguhet, gjithashtu, edhe punëtori i shëndetit mendor, detyrë kjo që ka të bëjë me promovimin nëpër famulli të strukturave që japin mbështetje shpirtërore dhe baritore familjeve me anëtarë me probleme mendore.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së financimeve, imzot Bernard Longli, përgjegjës i komitetit organizator i Ditës për jetën, falenderoi besimtarët që nuk u kursyen për ndihmat. “Bujaria e juaj bëri të mundur të mbështesim shumë projekte dhe organizata të vyera që promovojnë në mënyra të ndryshme dinjitetin e jetës, nga zënia deri tek vdekja e natyrshme.”







All the contents on this site are copyrighted ©.