2010-07-20 14:08:54

41 vjetori i shkeljes së njeriu në Hënë


Njeriu, Hëna, teknika e Papa. Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 korrik përkujtojmë 41-vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë realizuar nga astronauti Nil Armstron. “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin”, pat thënë astronauti Nil Armstron, derisa ecte në Hënë më 20 korrik të vitit 1969. Është një nga fitoret më të mëdha të njerëzimit, ndikimi teknologjik i së cilës ndihet deri në ditët tona, në jetën tonë të përditshme. Vitin e kaluar me rastin e 40 vjetorit të kësaj ngjarje historike, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi foli pikërisht për këtë argument e tha:.
“40 vjet më parë njeriu vinte për herë të parë këmbën mbi Hënë. Ngjarja u ndoq me interesim dhe emocion të madh nga pjesa më e madhe e njerëzimit. Papa Pali VI i kushtoi ndërhyrje të shumta atij fluturimi fantastik, që gjatë përgatitjes, më pas gjatë udhëtimit e në fund, pas kthimit triumfal të astronautëve.
“Sot – tha pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot të 20 korrikut – është një ditë e madhe, një ditë historike për njerëzimin, nëse vërtet sonte dy njerëz do të shkelin mbi Hënë, siç urojmë që të ndodhë me sukses Ne dhe krejt bota, që pret në ankth, galdon dhe lutet!” Të bën përshtypje pjesëmarrja njerëzore dhe shpirtërore e Papës në këtë ngjarje të madhe, admirimi i tij për intelektin dhe guximin e njeriut.
Njëkohësisht, meditimi i tij kthehet sërish në problemet e mëdha të pazgjidhura të njerëzimit – uria, luftërat – e në po atë Lutje të Engjëllit të Tënzot përfundon: “Ku është humaniteti i vërtetë, ku është vëllazërimi, paqja? Përparimi shkencor, për të cilin sot festojmë një fitore sublime, u ktheftë drejt së mirës së vërtetë, praktike e morale të njerëzimit”.
Papa Pali VI kishte publikuar pikërisht në atë kohë, enciklikën “Populorum Progressio”. Sa shpresë që inteligjenca njerëzore dhe aftësitë e mrekullueshme të shkencës e të teknikës të viheshin në shërbim të së mirës!
Edhe enciklika e re e Benediktit XVI, që i kushtohet krejtësisht zhvillimit të vërtetë të njerëzimit përfundon duke na kujtuar se njeriu nuk duhet të bëhet skllav i ideologjisë së re të pushtetit pa kufi të teknikës, por të arrijë me përgjegjësi, atë zhvillim tërësor, që gjen tek bamirësia dhe tek e vërteta, forcën që e çon përpara. Mund të fluturojmë në kozmos e të ndërhyjmë në burimet që na japin jetën, por si e pse? Sfida është gjithnjë para nesh".







All the contents on this site are copyrighted ©.