2010-07-19 17:44:18

Tension në Meksikë për luftën ndërmjet trafikantëve të drogës


(19.07.2010 RV)Rritet tensioni në Meksikë, pas fundjavës së përgjakshme të luftës ndërmjet trafikantëve të drogës. Një komando e armatosur vrau së paku 17 vetë në Torreòn, kryeqyteti i shtetit të Koauilës, gjatë një feste rinore. Mendohet se sulmi është kryer nga narkotrafikantët, për shkak të armëve të rënda që janë përdorur. Të premten e kaluar, në Çiudad Huarez, një nga vendet më të rrezikshme të botës, një autobombë vrau katër vetë. Për këtë situatë, flet në mikrofonin tonë Horhe Gutierrez, korrespondent në Romë për emitenten meksikane “Radio Centro”:RealAudioMP3
Zona e sulmit të fundit është ajo e Torreònit, një lokalitet në veri të qendrës së Meksikës. Një qytet shumë i industrializuar, në mes të shkretëtirës. Këto vrasje ndodhin në kuadrin e luftës, që trafikantët e drogës kanë filluar prej kohësh për kontrollin e territorit.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i vitit 2010, kanë humbur jetën mëse 7 mijë vetë për shkak të luftës së narkotrafikantëve…
Ekziston një konkurencë e pamëshirshme, pasi fitimi arrin në miliarda dollarë, që pa dyshim, duan t’i kontrollojnë të gjithë. E në një vend si Meksika, kaq afër me SHBA-të, të cilët janë konsumatorët kryesorë të drogës, fitimi është vërtet i madh. Narkotrafikantët kanë me siguri përkrahje politike për ta kaluar drogën aty ku duan.
Cila është politika e presidentit meksikan, Kalderòn për këtë?
Linja është ajo e luftës kundër narkotrafikantëve. Në fillim dërgoi ushtrinë e tani, qëkur janë vrarë dy funksionarë të konsullatës amerikane, të cilët punonin në kufi, edhe antidroga amerikane po punon bashkë me autoritetet meksikane. Por, problemi është mjaft i ndërlikuar e nuk mund të zgjidhet menjëherë, pasi droga nuk prodhohet në Meksikë, vjen nga Amerika e Jugut, megjithëse Meksika shërben si urë për kalimin në SHBA-të. Mendoj se duhet të ngrihet shoqëria civile për të denoncuar narkotrafikantët e njohur – pasi njerëzit e njohin me siguri një pjesë të këtyre njerëzve – që të luftohet ky kancer i tmerrshëm, që po e vë në gjunjë Meksikën.







All the contents on this site are copyrighted ©.