2010-07-19 16:47:21

Kardinali Bertone: “Nga Kryqi buron forcë për njerëzimin”.


(19.07.2010 RV)“Nga Kryqi buron forcë e përhershme për njerëzimin”. Këtë nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone, gjatë homelisë, mbajtur në Sordevolo, në provincën italiane të Bielës, me rastin e edicionit 2010 të shfaqjes kishtare kushtuar Mundimeve të Krishtit. Shfaqje e pashembullt, organizuar nga Teatri Popullor i Sordevolos, që përsëritet çdo pesë vjet në këto troje, duke nisur nga viti 1816. Rreth 400 nga një mijë e treqind banorët e bielezes janë aktorët e kësaj shfaqjeje, gjatë së cilës rijetojnë, në formën e teatrit popullor, ngjarjen që ndau më dysh epokat: Mundimet e Krishtit. Në homelinë, mbajtur në Meshën e kryesuar gjatë këtij takimi të madh, kardinali Bertone nënvizoi se shfaqja të rikujton fjalët e Papës para Sindonës “Passio Christi, passio hominis”, duke kujtuar se njeriu jeton, sepse mund të dojë e të duhet. E, duke shpjeguar Ungjillin e së dielës, me kundrimin e Marisë e punët e Martës, theksoi se të dyja sjelljet janë pozitive, por secila kërkon masën e kohën e vet. Në se duam ta jetojmë jetën tonë me fund, shpjegoi kardinali, duhet të ndjekim Marinë, në kundrim, e Martën në punët e përditshme, pa të cilat nuk mund të jetohet. Nga njëra anë, kjo do të thotë të rrish te këmbët e Jezusit, ta kundrosh, në sa na shpjegon sekretin e të gjitha gjërave; nga ana tjetër, të përpiqesh edhe për ta pritur mikun, me nderimet që i përkasin.







All the contents on this site are copyrighted ©.