2010-07-18 10:08:52

Nga Kisha në botë


(18.07.2010 RV)Pas atentateve në Ugandë, e diela e sotme iu kushtua lutjes. Papa shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve njerëzore në atentatet e Ugandës, në fshatin etiop të Kabalangës e në Kiadondo Ragbi Kllab në Lugogo, të dielën e kaluar: 76 të vdekur, dhjetra të plagosur e familje në zi.
E sot, në të gjitha famullitë e Ugandës, u kremtuan lutje të veçanta për viktimat e atentateve. Besimtarët e prijësit e tyre fetarë i dënuan ashpër ata, që kryejnë akte të tilla dhune, pa pikë kuptimi, duke i shkaktuar vuajtje njerëzve të pambrojtur e duke treguar qartë se kush derdh gjak të pafajshëm, nuk e di ç’është respekti për njeriun e për jetën njerëzore. Një lutje e fuqishme, pra, në të cilën u bashkuan zëra nga të katër anët e Afrikës e të botës së krishterë, duke kërkuar të hiqet dorë nga dhuna, si mjet për zgjidhjen e konflikteve e të ndiqet rruga e dialogut.

Kinë: Kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, i dërgoi, të martën e kaluar, një mesazh imzot Jul Zhia Zhiguo, ipeshkëv ligjor jo zyrtar i dioqezës së Zhengdingut, në Kinën Kontinentale. Në mesazh shprehet kënaqësia e thellë për rikthimin në seli, të ipeshkvit guximtar, të cilit Papa i jep, nga larg me distancë, por nga afër me zemër, bekimin e tij apostolik.
Imzot Juli është figurë kyçe e Kishës kineze, prelat i mirënjohur për vendosmërinë e tij doktrinore, për qartësi e palëkundshmëri në jetën e fesë e për qëndrim të drejtë ndaj politikës aq të ndërlikuar të shtetit kinez. U rrëmbye më 31 mars 2009, pikërisht kur në Vatikan zhvilloheshin punimet e Komisionit plenar, kushtuar Kishës në Kinë. Ishte një përpjekje për t’ia mbyllur gojën.I lindur më 1 maj 1935, imzot Zhiguo është shuguruar ipeshkëv më 8 shkurt 1981.

Tailandë: Dialogu ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në shërbim të bashkësisë civile, si mjet i dobishëm për të zbutur konfliktet e për të nxitur pajtimin në të gjitha nivelet: ky ishte një nga argumentet e takimit, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, në Qendrën baritore të Baan Phu Van, pranë Bangkokut. Në takimin, që përfundoi sot, morën pjesë anëtarët e këshillimoreve të dikasterit dhe disa kryetarë komisionesh ipeshkvnore për dialogun ndërfetar të vendeve aziatike. I pranishëm edhe kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor.
U shqyrtuan mundësitë për përparimim me sukses të dialogut ndërfetar, sidomos të dialogut të të krishterëve me induistët, sikht e zhainistët si dhe me shoqëritë civile. E kjo, me bindjen se ndikimi i liderëve fetarë mund të hapë rrugën e re të dialogut e të ndërmjetësimit, duke siguruar edhe rrugëzgjidhje të reja për situatën e tensionuar, në krizë të dyfishtë.

Pakistan: Në Faisalabad fanatikët islamikë sulmojnë bashkësinë e krishterë. “Disa qindra islamikë protestuan këto ditë rrugëve të Faisalabadit, duke kërkuar vdekjen e dy të krishterëve, të akuzuar për blasfemi. Një nga kishat katolike u godit me gurë. Tensioni vijon të acarohet, ndonëse deri tani gjendja është ende nën kontroll”: këtë dëshmi i dha Agjensisë Fides rregulltari domenikan, Paskal Paulus, famullitar i Kishës së Zojës Rruzare në Varis Pura, një nga lagjet e varfëra të Faisalabadit, ku jeton një bashkësi e krishterë prej njëqind mijë vetësh. Sipas domenikanit, shkak për protestën ishte një librec, shkruar nga dy vëllezër protestantë, i cili, sipas islamikëve, përmban fraza blasfeme kundër Muhametit. E fanatikët mendojnë se i duhet dhënë një mësim i mirë bashkësisë së krishterë, duke mos pritur të dënohet nga qeveria, por duke e dënuar drejtpërdrejt. Vëllezërit blasfemë sidomos. E jo me burgim, por me vdekje! Ndërkaq Kisha po përpiqet me të gjitha forcat të rivendosë klimën e dialogut e të harmonisë.

Indi: sulm i ri kundër misionarëve të krishterë
Në Indi vijon veprimtaria e fanatikëve induistë e myslimanë kundër të krishterëve. Posaçërisht në shënjestër, misionarët. Njoftimin e jep ‘L’Osservatore Romano’, duke botuar denoncimin e ipeshkvit të Indorës, imzot Shako Totumarikal. Sipas prelatit, një situatë e tillë tensioni rikrijohet vazhdimisht, sepse fanatikët veprojnë qetë qetë, të sigurtë se nuk do të dënohen. Ndërsa pakicat e krishtera nuk janë aspak të qeta, sepse krejt të pambrojtura në nivel shtetëror e politik. Në këtë atmosferë, misionarët e huaj akuzohen për prozelitizëm. Kërcënohem sidomos ata që kanë lidhje me mjetet e komunikimit, sepse një lidhje e tillë u krijon mundësinë të sensibilizojnë mbarë botën në mbrojtje të pakicave të krishtera, të cilat jetojnë edhe nën kërcënimin e ligjit, që godet ashpër prozelitët. Fanatikët nuk mund t’i durojnë njerëzit, që zgjedhin lirisht besojmën e tyre.

Irak: Mëkëmbësi patriarkal i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni, u bëri thirrje gjykatësve irakianë të punojnë me drejtësi e mëshirë, pas dorëzimit nga forcat amerikane të numrit 2 të Sadam Hysenit, Tarek Asizit, në duart e autoriteteve irakiane. Në gjendje të rëndë shëndetësore, pa mjekimet e domosdoshme, Tarek Asizi ka rrezik të vdesë, para se të dëgjojë vendimin e fundit të gjykatës. Prandaj ipeshkvi thekson: “Drejtësia duhet të bëjë punën e vet, por pa harruar mëshirën, duke pasur parasysh se nën regjimin sadamist, nuk e kishte aspak të lehtë të rebelohej, se nuk e deshi luftën e se në kohën kur nuk ishte në pranga, por në fronin e ministrit, respketohej shumë nga qeveritë e botës. Kujtojmë se në vitin 2003 Asizi u prit nga Gjon Pali II, i cili u përpoq shumë për t’i dhënë fund luftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.