2010-07-16 18:03:05

Teologu don Andrea Paçini për temën e Ditës Botërore të Paqes 2011: “Feja mbrohet me vendosmëri e butësi”.


(16.07.2010 RV)Liria për të praktikuar fenë, është një nga të drejtat themelore të çdo njeriu e respekti për këtë të drejtë, është rruga e paqes. Kjo, tema e Ditës Botërore të Paqes 2011. Benedikti XVI e vuri në qendër të mesazhit të tij pikërisht “Lirinë fetare, parë si rruga më e sigurtë e paqes”.
Duke shpjeguar, me një notë, këtë mesazh, Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes pohoi, sidomos, se liria fetare duhet shikuar si ‘liri e lirive’, që i kundëvihet çdo diskriminimi, i hapur apo i maskuar qoftë, përmes të cilit sot, në shumë vende të botës, bëhen përpjekje për ta penguar shprehjen e lirë të besojmave fetare. Folëm për këtë me don Andrea Paçinin, pedagog i teologjisë pranë fakultetit teologjik të Italisë Jugore dhe specialist në fushën e dialogut ndërfetar:RealAudioMP3

Përgjigje: - Besoj që Papa dëshiron të nënvizojë se përmasa fetare duhet të jetë themelore, sepse prej saj burojnë të gjitha shpresat e njeriut. Në këtë kuptim, ajo është ‘liri i lirive’, sepse përmasë që siguron garancinë për të gjitha liritë e tjera, si liria për t’u shprehur, liria për të organizuar shoqata e liri të tjera njerëzore. Papa, mendoj, dëshiron të na thotë se liria fetare e ajo e ndërgjegjes janë zemra e të gjitha lirive të tjera, dëshiron të na bindë se përmes ndërgjegjes, e jo pa kaluar përmes saj, mund të shprehen si liria fetare, ashtu edhe të gjitha liritë e tjera, pa të cilat njeriu nuk mund të konsiderohet vërtetë njeri.

Pyetje: - Nota, që jep shpjegime për Ditën e ardhshme Botërore të Paqes, bën dallim ndërmjet fesë, që praktikohet në kushte kur besimtarët janë pakicë, pra edhe viktima të diskriminimeve, e asaj, që praktikohet në kushte shumice. Ati i Shenjtë vëren se në kushte pakicash besimtarët duhet t’u bëjnë ballë edhe formave të rafinuara të mënjanimit, duke u përjashtuar, hapur apo heshtur, nga shumë të drejta e liri, edhe atje ku pohohet me zë të lartë se respektohen të gjitha liritë… Për shembull, në disa vende me shumicë myslimane, katolikët faktikisht shikohen si shtetas të dorës së dytë, pengohen në përpjekjen për t’u shkolluar, zënë një vend tejet modest në drejtimin e shoqërisë. Në politikë, sidomos. Mund të flitet natyrisht, edhe për forma të tjera, më të sofistikuara…

Përgjigje: - Mendoj se këto forma mund të paraqiten në dy aspekte kryesore: njëri, sipas meje, mund të jetë ai i keqkuptimit të pluralizmit kulturor. Për shembull, sot, në emër të respektit për të ashtuquajturin ‘pluralizëm kulturor’ bëhen përpjekje për t’ua mbyllur gojën – mendoj për mjediset shkollore e mjediset e tjera publike – të gjithë atyre, që duan të shprehin përkatësinë e veçantë fetare, të flasin qartë e haptas për fenë e tyre. Mjafton të kujtojmë kundërshtimet që mbijnë herë pas here për Shpellën e Betlehemit në shkolla të një vendi katolik, si Italia, por ku mësojnë edhe fëmijë me traditë jo katolike. Gjëja, që të çudit e të mrekullon, është se polemikat nuk lindin kurrë nga vetë nxënësit e shkollave, ose nga prindërit e tyre, por gjithnjë më shpesh, nga mësuesët ose nga njerëz të tjerë, që fshihen pas tyre e që nuk mund ta durojnë as fenë e pakicës e as atë të shumicës. Do të dëshironin t’a mbysnin zërin e të gjitha feve. E këtë e bëjnë në emër të ca vlerave krejt abstrakte, krejt të pakuptueshme, që i kundërvihen vlerave tradicionale, me të cilat njerëzit janë tejet të lidhur, sepse të trashëguara brez pas brezi. Më në përgjithësi, mund të mendohet edhe për forma të tjera që, në emër, edhe këtu, të laicitetit të keqkuptuar, kanë prirjen ta mënjanojnë sa më shumë të mundin, rolin e Kishës ose të feve të tjera.

Pyetje: - Dy vjet më parë, para tribunës së OKB-së, Benedikti XVI pohoi: “Njeriu nuk duhet vënë kurrë në kushte të tilla, që e detyrojnë të mohojë Zotin, për të gëzuar të drejtat njerëzore”. Sipas jush, si mund t’i jepet fund një prirjeje të tillë, nga cila nuk buron liria, por persekutimi…

Përgjigje: - Mendoj se kjo është sfida e madhe, përballë së cilës ndodhet Kisha. Besoj se mund të fitohet mbi këtë prirje, vetëm me butësi. Butësi do të thotë të ecësh në udhën ungjillore, të mos u nënshtrohesh tundimeve të logjikave të tjera. Por kur themi butësi, kjo nuk e përjashton vendosmërinë: përkundrazi: feja duhet mbrojtur vendosmërisht, duke bërë çmos që ta respektojnë edhe të tjerët e duke nxitur solidaritetin ndërkombëtar të Kishave, të shoqërive civile e, pse jo, edhe të shteteve, kur kjo është e mundshme dhe e nevojshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.