2010-07-15 13:32:26

Më 15 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Bonaventurën, ipeshkëv e doktor i Kishës


Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?

Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.

"Të krishterët të mësojnë nga Shën Bonaventura"
Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë të Shën Françeskut, reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane, ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesore,:
Shën Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje. Në shkrimet e tij tregon rrugën që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”…
Shën Bonaventura qe edhe këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre”… Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive hyjnore!...
Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës… Kush shpreson – pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive të qenies sonë, pra, drejt Zotit.
Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin.

Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit. Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.
*****
Papa Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Shën Bonaventurës.
(03.03.2010 RV)Lindur, ndoshta, në vitin 1217 e vdekur më 1274, ai jetoi në shekullin XII, epokë në të cilën feja e krishterë, që kishte depërtuar thellësisht në kulturën e në shoqërinë e Evropës, frymëzoi shumë vepra të pavdekshme në lëmin e letërsisë, të arteve pamore, të filozofisë e të teologjisë. Ndërmjet figurave të mëdha të krishtrea, që dhanë ndihmesë të shquar në krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës, mund të kujtojmë pikërisht Shën Bonaventurën, njeri i veprimit e i kundrimit, i përshpirtërisë e i qeverisjes së urtë.
U pagëzua me emrin Gjovani Fidanca të cilin, kur veshi zhgunin françeskan, e ndërroi me emrin Bonaventuara.
Studioi në një shkollë të njohur të Parisit, ku mori titullin ‘Mjeshtër i Arteve’, të cilin mund ta krahasojmë me dëftesën e liceve më të shquara të kohëve tona. Si shumë të rinj të kohës së tij, e edhe të kohës sonë, Gjoni nisi t’i bëjë vetes një pyetje themelore: “Ç’duhet të bëj në jetë?”
I mahnitur nga dëshmia ungjillore e Fretërve të Vegjël, që kishin arritur në Paris, trokiti në portën e Kuvendit françeskan të qytetit e kërkoi të pranohej në gjirin e familjes së bijve të Shën Françeskut.
Rreth vitit 1243 veshi zhgunin e mori emrin Bonaventura. Vijoi me zell të ri studimet, duke ndjekur fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Parisit, e njëkohësisht, edhe shumë kurse impenjative, të domosdoshme për karrierën akademike. Studioi thellësisht Shkrimin Shenjt, Sentencat e Pietro Lombardit, Doracakun e teologjisë së kohës, autorët më të rëndësishëm të teologjisë e, duke u takuar vazhdimisht me mësues e studentë të teologjisë, që vinin në Paris, arriti të fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë shpirtërore personale, me vlerë të madhe. E kështu u bë një nga teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës.
Na la trashëgim veprat:Breviloquium (Hyrje në teologjinë skolastike)
Collationes de decem praeceptis (Përmbledhje për dhjetë Urdhërimet e Tënzot)
Collationes de septem donis Spiritus Sanctis (Përmbledhje për shtatë dhantitë e Shpirtit Shenjt)
Collationes in Hexaemeron (Përmbledhje në Gjashtë Ditët e Krijimit )
Commentaria in quattuor libros sententiarum Magistri Petri Lombardi (Koment i katër librave të sentencave të mjeshtrit Pietro Lombardi)
De mysterio Trinitatis (Misteri i Trinisë Shenjte: çështje shumë të debatuara)
De perfectione vitae ad sorores (Përsosuria e jetës për motrat)
De reductione artium ad theologiam (Shikim i arteve përmes teologjisë)
De Regno Dei descripto in parabolis evangelicis (Mbretëria e Zotit përshkruar në shembëlltyra ungjillore)
De scientia Christi et mysterio Trinitatis (Njohja e Krishtit dhe misteri i Trinisë)
De sex alis Seraphin (Gjashtë flatrat e Serafinëve)
De triplici via (Udha e trifishtë)
Itineriarium mentis in Deum (Shtegtim i mendjes në Zotin)
Legenda Sancti Francisci (Gojëdhëna e Shën Françskut)
Lignum vitae (Druri i jetës)
Officium de passione Domini (Detyrat që kanë të bëjnë me Mundimet e Zotit)
Quaestiones de perfectione evangelica (Çështje mbi persosurinë ungjillore)
Summa theologiae (Përmbledhje e teologjisë)
Vitis mystica (Jetë mistike)


Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit”(Njohja e Krishtit).

Benedikti XVI për Shën Bonaventurën: Kisha ndjek idealin e tij të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes, duke harmonizuar fenë me kulturën.
(03.03.2010 RV)Kisha le ta bëjë të vetin stilin e një jete të pastër, të varfër, të bindur: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e të përgjithshme të 3 marsit 2010, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, përballë tetë mijë besimtarëve. Papa ia kushtoi katekizmin Shën Bonaventurës së Banjorexhos, doktor i Kishës, që arriti të harmonizonte përshpirtërinë françeskane me reflektimin teologjik. Në çastin e përshëndetjeve, Ati i Shenjtë kujtoi figurën e Shopenit, kur mbarë bota përkujton dyqindvjetorin e lindjes së kompozitorit të madh polak, që njihet si ‘Poeti i pianos’. Kishave u kujtoi se duhet të impenjohen gjithnjë më shumë në ndihmë të ciganëve.
“Njeri i mirë, i ëmbël, i përshpirtshëm e i mëshirshëm, përplot me virtyte, i dashur nga Zoti e nga njeriu”: Benedikti XVI mori hua fjalët e një lëvdate të lashtë papnore, për të pikturuar me të portretin e Shën Bonaventurës nga Banjorexho. Njeri i veprimit e i kundrimit – nënvizoi Benedikti XVI - ai dha një kontribut tejet të çmuar për krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës. Më pas Papa përmendi shtegtimin e tij në Banjorexho e u kujtoi besimtarëve të pranishëm në audiencë se që në rini kishte ushqyer një dashuri të posaçme për Shenjtin teolog:
“Ju rrëfej se, duke e paraqitur këtë argument, provoj një farë nostalgjie, sepse më vijnë përsëri në mend kërkimet e rinisë, pikërisht mbi këtë autor, të cilin e kam dashur gjithnjë në mënyrë të veçantë. Njohja e tij ka ndikuar jo pak në formimin tim”.
Benedikti XVI përshkroi shkurtimisht jetën e dijetarit të madh, me emrin rregulltar Bonaventura, në pagëzim, Gjovani da Fidanca. Një ngjarje, që i ndodhi kur ishte ende fëmijë – vijoi të tregonte Papa - i la gjurmë aq të thella, sa t’ia ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. U sëmur rëndë e, në prag të vdekjes, u rikthye në jetë falë Shën Françeskut të Asizit, të cilit e ëma i kishte kërkuar të ndërmjetësonte për shpëtimin e të birit. Gjoni do të tregonte, më vonë, se kur u njoh me françeskanët, mbeti aq i mahnitur nga jeta thellësisht ungjillore e vëllezërve të vegjël, sa të ndjente thirrjen e pakundërshtueshme për të hyrë në familjen e madhe të dishepujve të Shën Françeskut. Ati i Shenjtë kujtoi fjalët e vetë Shën Bonaventurës për arsyet që e shtynë të zgjidhte këtë rrugë:
“Shkruan kështu, në një letër drejtuar një vëllau tjetër: “Rrëfej para Zotit se arsyeja, që më bëri ta dua më shumë jetën e të lumit Françesk, është se ajo i ngjet zanafillës e rritjes së Kishës. Kisha zuri fill me ca peshkatarë të thjeshtë, e në vijim, u pasurua me dijetarë të ndritur e të urtë; feja e të lumit Françesk nuk buroi nga maturia njerëzore, por nga Krishti”.Në vitin 1243 Gjoni veshi zhgunin françeskan e mori emrin Bonaventura. Nisi, kështu, në Paris, edhe studimet e teologjisë. Gjatë studimeve, arriti të fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë shpirtërore, me vlerë të madhe, e kështu - vijoi Papa - arriti të bëhej një nga teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Më pas Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek puna e diplomës, që mbrojti Shenjti françeskan, për të marrë titullin e teologut. Titullohej: “Çështje mbi njohjen e Krishtit”:
“Ky argument flet vetë për rolin qëndror, që pati gjithnjë Krishti në jetën e në mësimin e Shën Bonaventurës. Mund të themi, pa asnjë dyshim, se gjithë mendimi i tij ishte thellësisht kristocentrik”.
Në vitet kur Shën Bonaventura ndodhej në Paris – vijoi të kujtonte Papa – vihej në dyshim jo vetëm vlera e mësimdhënies së françeskanëve e domenikanëve në universitete, por edhe vetë vërtetësia e jetës së tyre rregulltare. E kjo – reflektoi Ati i Shenjtë – për shkak se ndryshimet që sollën Urdhërat e Lypësve në mënyrën e kuptimit të jetës rregulltare, ishin aq të reja, sa jo të gjithë arrinin t’i kuptonin. Kësaj, pastaj, duhet t’i shtojmë edhe zilinë e smirën, ligështi që nuk mungojnë as në jetën e rregulltarëve. Bonaventura u mor me këtë çështje në veprën e tij “Përsosuria ungjillore”, në të cilën dëshmon se Urdhërat e Lypsëve, duke vënë në jetë kushtin e varfërisë, të pastërtisë e të bindjes, ndiqnin këshillat e vetë Ungjillit. E ky është një mësim gjithnjë aktual:
“Kisha u bë më e ndritur e më e bukur përmes besnikërisë së këtyre bijve e bijave të veta, të cilët jo vetëm që vunë në jetë mësimet ungjillore por, me hir të Zotit, janë të thirrur t’i respektojnë këshillat e të dëshmojnë kështu, me stilin e jetës së tyre të varfër, të pastër e të nënshtruar, se Ungjlli është burim gëzimi e përsosurie”.
Shën Bonaventura do të ishte, për 17 vjet me radhë, edhe epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël. E këtë detyrë e kreu me urti e përkushtim, por edhe me rreptësi, kur ishte fjala për t’iu kundërvënë shpërdorimeve. Për të shmangur rrezikun e përçarjes brenda Urdhërit, shkroi një tekst për njëjtësimin e normave, që rregullonin jetën e përditshme të fretërve të vegjël”:
“Bonaventura e kuptoi se urdhërat, edhe kur janë të frymëzuar e të matur, nuk mjaftojnë për të siguruar bashkimin e shpirtrave e të zemrave. Zemrat e shpirtrat bëhen një, vetëm kur kanë të njëjtat ideale”.
Për këtë arsye Bonaventura deshi të paraqesë karizmën e vërtetë të Shën Françeskut, jetën e mësimin e tij. Dëgjoi, prandaj, me vëmendje të madhe, kujtimet e atyre, që e kishin njohur drejtpërdrejt Françeskun. Lindi, kështu, jetëshkrimi i Shenjtit të Asizit. Ja edhe portreti i Shën Françeskut, dalë nga zemra e nga penda e birit të tij të devoçëm e pasardhësit të tij, Shën Bonaventurës:
“Françesku është një Krisht tjetër, një njeri, që e kërkoi me pasion Krishtin. Përmes dashurisë, që të shtyn drejt përngjasimit, ai u bë plotësisht një me Të”. Bonaventura i ftonte të gjithë ithtarët e Françeskut të ndiqnin këtë ideal të gjallë. E ky ideal, me vlerë për çdo të krishterë, dje, sot e përgjithmonë, është edhe programi i Kishës së mijëvjeçarit të tretë, përvijuar nga Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II”.
Është një program, që ka në qendër vetë Krishtin, për ta njohur, për ta dashur, për ta imituar, për të jetuar në Të jetën trinitare e për ta shndërruar, me Të, historinë, deri në përkryerjen e saj, deri tek Jeruzalemi qiellor.
Në çastin e përshëndetjeve, duke u folur shtegtarëve të ardhur nga Polonia, Benedikti XVI kujtoi kompozitorin e famshëm polak, Frederik Shopen, në dyqindvjetorin e lindjes, që po kremtohet në mbarë botën. Papa pianist uroi që muzika e kompozitorit, i cili solli një kontribut të madh në kulturën evropiane e në botë, t’i afrojë ata, që e dëgjojnë, tek Zoti e t’i ndihmojë të zbulojnë thellësitë e pamata të shpirtit njerëzor.
Më pas, duke u folur shtegtarëve italianë, përshëndeti posaçërisht pjesëmarrësit në takimin, që po mbahet në Vatikan, kushtuar punës baritore me ciganët. Papa uroi që Kishat vendase të punojnë së bashku me zell e dashuri në ndihmë të ciganëve.
Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk njihet vetëm me arsye, por me forcën e dashurisë.
(17.03.2010 RV)Më 17 mars 2010 paradite Papa e mbajti audiencën e përgjithshme, për herë të parë këtë vit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndriçuar nga dielli i ëmbël i fillimit të pranverës, mbas ditëve të gjata me reshje. Në qendër të katekizmit, përsëri figura e Shën Bonaventurës së Banjorexhos dhe arritjet e tij në shkencën teologjike, të krahasuara sot me veprën e Shën Tomës së Akuinit.
Shën Toma e Shën Bonaventura – tha Papa – e përkufizojnë në mënyra të ndryshme cakun e fundmë të njeriut, lumturinë e tij të plotë. Parë në këtë këndvështrim, mund të themi se kategoria më e lartë për Shën Tomën është e vërteta, ndërsa për Shën Bonaventurën, e mira. Do të ishte gabim të mendonim se këto dy përgjigje i kundërvihen njëra-tjetrës. Në të dyja rastet, e vërteta është edhe e mirë; ndërsa e mira, është njëkohësisht edhe e vërtetë; të shikosh Zotin, do të thotë ta duash, e ta duash, do të thotë ta shikosh. Kemi të bëjmë me theksime të ndryshme të një vizioni, në themel të përbashkët. Të dy këto theksime formuan tradita e përshpirtëri të ndryshme e kështu dëshmuan fekonditetin e fesë, që është një, në larminë e shprehjeve të saj të ndryshme.

Jeta e krishterë është një shkallë drejt Zotit. Kështu e perceptonte, 800 vjet më parë Shën Bonaventura nga Banjorexho. Një ngjitje ‘drejt lartësive të Hyjit’, që mund të kryhet me forcën e arsyes e të kërkimit shkencor teologjik deri në një farë pike, përtej së cilës mund të ngjitesh vetëm përmes dritës së dashurisë. E pikërisht aftësitë dhe kufizimet e teologjisë theksoi Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së sotme, duke vënë ballë për ballë bindjet e Shën Bonaventurës nga Banjorexho me ato të Shën Tomës së Akuinit në fushën e teologjisë, e cila mund të jetë spekulative, domethënë mund të na çojë në radhë të parë tek njohja e Zotit, ose praktike, domethënë mund të na çojë drejt së mirës. Papa shprehu mendimin se:
“Për Shën Tomën qëllimi më i lartë, drejt të cilit shkon dëshira jonë, është të shohim Zotin. Në këtë akt të thjeshtë të pamjes së Zotit, gjejnë zgjidhjen të gjitha problemet: arrijmë lumturinë, nuk kemi më nevojë për asgjë tjetër.
Ndërsa për Shën Bonaventurën, fati i fundmë i njeriut është: ta dojë Zotin, të takohet e të bashkohet, në dashurinë e tij e tonën. E ky, për të, është edhe përkufizimi më i mirë i lumturisë së njeriut”.
Përparësisë së teorisë ose të praktikës, Shën Bonaventura i shton një aspekt të tretë – tha Papa- i cili i përmbledh të dy të tjerët: atë të dijes. Duke mbrojtur këtë tip të reflektimit metodik e racional të fesë, studiuesi françeskan ndalet tek një konceptim i gabuar i teologjisë së kohës së tij – por edhe i kohës sonë, sipas të cilit – theksoi Papa…:
“… arsyeja e zbrazka fenë, qenka një sjellje e dhunshme, në krahasim me fjalën e Zotit, të cilën duhet ta dëgjojmë, por jo ta analizojmë. Këtyre argumenteve kundër teologjisë, të cilat na bindin për rreziqet që ekzitojnë në vetë teologjinë, Shenjti u përgjigjet: është e vërtetë se ka një mënyrë arrogante për të bërë teologji, një mburrje të arsyes, që vihet përmbi fjalën e Zotit. Por teologjia e vërtetë, puna racionale e teologjisë së vërtetë e të mirë, ka një zanafillë tjetër. Kush dashuron, dëshiron ta njohë gjithnjë më mirë e më gjatë atë që do (…). Prandaj për Shën Bonavnturën vendin e parë e zë dashuria”.
Për të arritur në këtë konceptim të teologjisë – shpjegoi Papa – Shën Bonaventura u ndikua, pa dyshim, nga ideja se ‘vendin e parë e zë dashuria”, karakteristike për karizmën françeskane. Por në këtë ide të njohjes së Zotit në formën e ngjitjes së vazhdueshme shpirtërore, ndjehet edhe ndikimi i teologut më të lashtë siriak, që njihet me emrin Pseudo- Dionisi, i cili i kishte ndarë ëngjëjt në nëntë rende:
“Shën Bonavntura i interpreton këto rende të ëngjëjve si shkallë që e afrojnë krijesën tek Zoti. Kështu ata mund të përfaqësojnë shtegtimin e njeriut, ngjitjen e tij drejt bashkimit me Zotin”.
Gjithsesi, Pseudo-Dionisi është i mendimit se ekziston edhe një këmbë shkalle, e fundmja, përtej pamjes me arsye e me zemër, e cila për Shën Agostinin – kujtoi Papa – është kategoria e fundit e njohjes:
“Në ngjitjen drejt Zotit mund të arrihet në një pikë, ku arsyeja nuk sheh më. Por, atje ku bie nata e mendjes, dashuria vijon të shikojë; ajo sheh atë, që nuk mund ta shohë arsyeja. Dashuria shtrihet përtej arsyes, shikon më shumë, hyn në thellësinë e misterit të Zotit (…). Pikërisht në natën e errët të Kryqit, duket e gjithë madhështia e dashurisë hyjnore”.

Ndërmjet shumë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve nga të katër anët e botës, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë delegacionin e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga dioqeza amerikane e Trentonit, ku u ndez “Pishtari Benediktin për paqen”.
Uroj që një veprimtari e tillë – theksoi Papa – të kontribuojë për formimin e vetëdijes së solidaritetit dhe të kulturës së paqes, duke ndjekur shembullin e Shën Benediktit, apostullit të palodhshëm, që shkriu gjithë jetën ndërmjet popujve të Evropës. E një përshëndetje tjetër tejet të ngrohtë, Papa ua drejtoi të rinjve, duke pasur parasysh edhe afrimin e stinës së re. “Takimi me ju – u tha Ati i Shenjtë - më gëzon gjithnjë e, njëkohësisht, është burim shpresash, sepse mosha juaj është pranverë e jetës. Prandaj ju uroj të mos e harroni kurrë dashurinë që ka Zoti për ju”.







All the contents on this site are copyrighted ©.