2010-07-15 17:28:51

Abuzimet me të miturit, përgjigja e Kishës. Publikohen “Normat për krime të rënda”. Komunikatë e Atë Federiko Lombardit.


Kongregata e Vatikanit për Doktrinën e Fesë ka publikuar sot azhurnimin e ndryshimet e normave të ashtu quajtura “de gravioribus delictis” ”norma mbi krimet më rënda”, që do të thotë një sërë masash më efikase për të kontribuar në qartësinë e sigurinë e së drejtës e që i mundësojnë dikasterit vatikanas të ndërhyj në rastin e krimeve që bëhen kundër Sakramentit të Eukaristisë e të Pendesës dhe në raste të abuzimeve seksuale të kryera nga kleri ndaj e kundër të miturve.
Pra, sot u publikuan normat e reja të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë për krimet më të rënda kundër Kishës, të cilat e azhurnojnë dokumentin Motu proprio “Sacramentorum sanctitis tutela” dhe “Normae de gravioribus delictis” – Normat për krimet më të rënda, që qenë miratuar në fillim të viteve 2000 nga Papa Gjon Pali II dhe Jozef Racinger, asokohe kardinal.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federiko Lombardi sqaron hollësisht ndryshimet që kanë pësuar normat në fuqi:
“Në fakt, këtu bëhet fjalë për një formulim juridik që përmbledh norma të cilat kanë qenë në fuqi e pranuar si praktikë e si “udhërrëfyese” të vetë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, këto vitet e fundit. Sidoqoftë, është fjala për një projektligj organik e ka edhe norma të reja që përfshijnë edhe disa risi tepër të rëndësishme për kohën që po jetojmë. Veçanërisht lidhur me çështjen e abuzimeve seksuale, afati parashkrimor i krimit është zgjatur nga dhjetë vjet që ka qenë deri tani, në njëzet vjet. Ka pastaj edhe mundësi që për çështjet tepër të rënda të procedohet e të ndiqet një proces jashtëgjyqësor ndaj fajtorit, dhe t’i paraqitet drejtpërdrejtë Papës kërkesa e largimit e për t’i hequr meshtarinë apo statusin e klerikut fajtorit.
Po ashtu normat e reja parashikojnë që edhe laikët mund të marrin pjesë në trupin gjykues kishtar që shqyrton këto krime të rënda.
Nga ana tjetër, janë shtuar edhe disa norma të reja që lidhen me krimet e pedopornografisë dhe të shpërdorimeve seksuale kundër personave me të meta mendore. Këto raste, tani e tutje, barazohen me shpërdorimin kundër të miturve.
Një pikë për të cilën nuk flitet në këto normativa ka të bëjë me bashkëpunimin me autoritetet civile. Duhet të kemi parasysh – vazhdon Atë Lombardi se Normat që u publikuan sot janë pjesë e së drejtës penale kishtare, që është e veçantë dhe e pavarur nga shtetet.
Po ashtu në normat e reja flitet edhe për krimet e tjera të rënda kundër besimit si herezia, apostazia dhe skizma. Janë shtuar gjithashtu edhe disa saktësime lidhur me krimet kundër eukaristisë.
Po ashtu normat e reja e quajnë krim edhe shugurimin meshtarak të grave.
Publikimi i normave të reja ndihmon për të sqaruar dhe për të siguruar të drejtën në një fushë ku sot Kisha është tepër e impenjuar për të ecur me vendosmëri dhe transparencë, në mënyrë që t’i përgjigjet plotësisht kërkesave për koherencë morale dhe shenjtëri ungjillore që besimtarët dhe mbarë opinioni publik presin prej saj. – përfundon komunikata e Atë Federiko Lombardit.







All the contents on this site are copyrighted ©.