2010-07-14 13:40:18

Kuntis: Kushtet u plotësuan, shqiptarët gati të lëvizin pa viza


Hartuesi i rezolutës së PE-së për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolaos Chountis vlerëson se qeveria shqiptare e Tiranës ka përmbushur në kohë reale çdo dokumentacion që Bashkimi Evropian i ka paraqitur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në një intervistë për një agjenci lajmesh greke, eurodeputeti grek thekson se Shqipëria është tashmë gati për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen. Ai thekson se tashmë është Komisioni Evropian ai që duhet të bëjë hapin e tij në mënyrë që lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë të bëhet realitet.
Po ashtu, eurodeputeti grek thekson se Bashkimi Evropian do të ndihmojë Shqipërinë me projekte punësimi në vend. Pasi Rezoluta u votua në Parlamentin Evropian me 567 vota pro, 47 kundra dhe 19 abstenime, "vlerësimi ynë është se duhet të mbetet i gjallë përparimi i integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që të integrohen në familjen evropiane", tha Kuntis.
Sipas tij, që të arrihet kjo, duhet, të zgjidhen disa probleme që kanë të bëjnë me të drejtat ndërkombëtare; probleme këto që janë të shumta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera që duan të integrohen në BE. Disa nga problemet që duhet të zgjidhi Shqipëria janë: probleme politike, shoqërore, ekonomike, të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë, etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.