2010-07-14 16:36:11

Kardinali Antoneli: familja duhet ndihmuar e duhet vlerësuar, por pa e privatizuar.


(14.07.2010 RV)Familja është burim themelor për shoqërinë: këtë theksoi, këto ditë, kardinali Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen. Hirësia e Tij ishte në Alanson të Francës, për të kujtuar të Lumët Lui e Zélie Martë, prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, me rastin e përvjetorit të kurorëzimit të tyre, kremtuar më 12 korrik 1858. Pasi kryesoi Meshën e rastit, kardinali mbajti edhe një konferencë me temë: “Familja e ungjillëzimi”.

Një faktor i pazëvendësueshëm, pa të cilin njeriut do t’i mungonte ngrohtësia njerëzore, ndërsa shoqërisë, themeli kryesor. Me këtë sy e shikon kardinali Antoneli familjen, duke pasur parasysh familjen shembullore Martë, karakteristikat kryesore të së cilës ishin dashuria e harmonia e përkryer bashkëshortore; gëzimi prindëror, pavarësisht nga flijimet; dëshira për t’i edukuar fëmijët me frymën e lutjes, të solidaritetit për të varfërit, të apostullimit e jo më pak, përgjegjësia e lartë profesionale e shoqërore. Të dy bashkëshortët punuan gjithë jetën me impenjim e zgjuarësi, duke i dhënë vendin e duhur kërkesave profesionale e atyre familjare e duke respektuar, deri në hollësitë më të vogla, të drejtat e punëtorëve, sidomos të drejtën për t’u çlodhur të dielën. Familja Martë, shtoi kardinali, është mishërim e model i familjes, për të cilën bota sot ka më shumë nevojë se kurrë, sepse në kulturën sunduese vijon të ndjehet fort procesi i privatizimit të familjes, e cila po shikohet gjithnjë e më tepër si mjedis për plotësimin e nevojave afektive, sentimentale e seksuale të të rriturve, pa menduar fare për krijimin e një bashkimi të qëndrueshëm, pasuri e pazëvendësueshme për shoqërinë, sepse vatër rreth së cilës rriten e edukohen breznitë e ardhshme. Familja nuk perceptohet më si bashkësi e vogël, ku secili ka të drejta e detyra, por si një grumbull njerëzish,që bashkëjetojnë njëkohësisht nën të njëjtën strehë; nuk është më burim, që duhet vlerësuar, por një mori nevojash e dëshirash individuale, për t’u plotësuar. E një vizion i tillë ka si pasojë krizën, në tre drejtime kryesore: në martesë, në lindjen dhe në edukimin e fëmijëve, aq sa në Bashkimin Evropian numri i divorceve përkon me gjysmën e martesave. E jo vetëm kaq: të rinjtë, gjithnjë më të vetmuar, marrin rrugën e vandalizmit, të drogës, të dhunës, duke thelluar krizën e shoqërisë, në të cilën mungojnë idealet, shpresat, planet e përbashkëta, besimi në të ardhmen. Duke vënë gishtin mbi plagën e plakjes së shoqërisë, që krijon probleme të rënda, edhe ekonomike, kardinali Antoneli kujtoi se familja është institucion, në të cilin njerëzit i shërbejnë njëri-tjetrit me dashuri, pa asnjë interes e, si rezultat, është vatër dashurie e mëshire. Falë një fryme të tillë, anëtarët e familjes nuk duhet të kthehen kurrë thjeshtë në mjete, sepse në një familje të vërtetë, secili e shikon tjetrin si pasuri në vetvete, që nuk mund të zëvendësohet, që nuk mund të shitet e as të blihet. Kardinali nënvizoi se familja, e bazuar mbi martesën, i ofron shoqërisë pasurinë më të çmuar, qytetarët me virtyte shoqërore të së ardhmes, e prandaj është më se e arsyeshme të ketë gjithë mbështetjen e mundshme kulturore, juridike dhe ekonomike.
Prej këndej, kryetari i Dikasterit vatikanas i ftoi shoqatat në mbrojtje të familjes të punojnë me guxim në shkolla, në famulli, në dioqeze, në mjetet e komunikimit masiv, duke nxitur organizimin e takimeve e të reflektimeve e duke favorizuar formimin e politikanëve, të drejtuesve të kulturës e të komunikimit. Sigurisht, pohoi prelati i lartë, doktrina shoqërore e Kishës i miraton vlerat e vërteta të kohëve të reja, si barazia ndërmjet burrit e gruas, liria e mendimit dhe e besimit, laiciteti i kuptuar si respekt i pluralizmit fetar e kulturor. Por Kisha nuk i ngatërron të drejtat e individëve, me ato të familjes, interesat private, me ato të përgjithshme. Prandaj, pohoi, shoqatat familjare me frymëzim të krishterë, kërkojnë që familja të mos shikohet si shumë individësh e nevojash individuale, por si burim i domosdoshëm e i çmuar për shoqërinë, që duhet ndihmuar e vlerësuar. Prej këndej, ftesa për ta rivlerësuar rolin e prindërve, duke e parë si funksion të rëndësishëm në pjekurinë dhe realizimin e burrit e të gruas, për të mirën e fëmijëve e të mbarë shoqërisë.
Atëherë mund të themi se ka rëndësi themelore të merren masat e nevojshme për krijimin e familjeve të qëndrueshme, për pranimin e përgjigjësisë edukative, e, sidomos, për shtimin e numrit të lindjeve.
Masat, që duhen marrë, mund t’i përmbledhim kështu: më shumë fleksibilitet profesional për bashkëshortët që punojnë; më shumë siguri ekonomike edhe për kontratat me afat të përcaktuar; më shumë shërbime për fëmijët, për pleqtë e për njerëzit me aftësi të kufizuara; ulje më të ndjeshme taksash për familjet me shumë fëmijë; pensionim i parakohshëm për punonjësit me fëmijë; alternativa konkrete për të shmangur rrezikun e abortit; njohje e të drejtave të prindërve për të zgjedhur rrugën e edukimit të fëmijëve të tyre; bashkim familjar për emigrantët. Duke cituar, në përfundim, Këshillimin Apostolik “Familiaris Consortio”, nënshkruar nga Gjon Pali II në vitin 1981, kardinali Antoneli bëri thirrje për ndërtimin e një shoqërie, që është mike e familjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.