2010-07-12 17:09:23

Përfundoi Kampionati Botëror i Futbollit.Fitoi Spanja.


(12.07.2010 RV)Kampionati i parë i Futbollit, organizuar në Afrikë, u mbyll mbrëmë me fitoren e Spanjës. Kupa e parë për skuadrën iberike, që mundi Holandën, e cila piu për herë të tretë në historinë e Kampionateve Botërore, kupën e hidhur të mundjes, pikërisht në ndeshjen përfundimtare e, vendimtare. Kur spanjolli Andres Iniesta, pak minuta para përfundimit të kohës së dytë shtesë, shënoi golin e parë, e të fundit, të kësaj ndeshjeje, që e ndiqte mbarë bota, në Spanjë shpërtheu gëzimi i papërshkrueshëm i miliona njerëzve. Këtë gëzim e shijuan edhe futbolldashësit e skuadrës së Ganës, që arriti e katërta në finale. Por, për një bilanc të Kampionatit Botëror të Jugut afrikan, të ndjekim kryipeshkvin e Akrës, në Ganë, imzot Gabriel Sharl Palmer Buklë:

Përgjigje: - Ata, që e organizuan, bënë shumë, shumë mirë. Jugafrika duhet të jetë vërtetë krenare për atë, që mundi të bëjë.

Pyetje: - Krenarë për atë që arritën janë edhe lojtarët e Ganës, skuadrës, që u mund nga Uruguaj, pasi i ishte afruar, jo pak, mundësisë për finale…

Përgjigje: - Afrika bënte tifo për Ganën, gjë që tregon se Kontinenti ndjehej vërtetë i bashkuar. Duhet të falënderojmë Zotin, që Afrika e ndjeu veten të bashkuar në këtë festë të madhe, botërore. Afrika tashmë është gati të zërë vendin që i takon ndërmjet kombeve të botës, e është krenare, si Kontinent, edhe për vendin që meritoi Gana.

Pyetje: - Një sinjal tjetër i rëndësishëm është se në stadium të gjithë ishin tifozë për Jugafrikën, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet lojtarëve të bardhë e të zinj. Sinjal i madh, ky, kundër aparteidit…

Përgjigje: - Vendi tashmë e ndjeu veten të bashkuar rreth skuadrës së Jugut afrikan, e jo vetëm rreth saj, sepse priti lojtarë nga të katër anët e botës, pa kurrnjë tip racizmi e pa asnjë shfaqje të ngjashme me të. Ta shikoje këtë, ishte si të shikoje një ëndërr, që bëhej realitet para syve të miliona njerëzve. Prandaj jam tejet i bindur se kjo përvojë që jetoi Jugu afrikan, do të japë fryte të reja pas dhjetë, pesëdhjetë vjetësh, e do t’i shohim këto fryte të piqen pikërisht në Jugun e Afrikës, në këtë komb shumë të bashkuar, të mirëbashkuar, të vendosur për ta bërë, atë që mund të bëhet. E pastaj, besoj se do të tërheqë pas vetes të gjithë Kontinentin, të gjitha vendet afrikane. Besoj se mesazhi, që buron nga një ngjarje e tillë, e ndjekur nga mbarë bota, duhet të jetë ky: sporti është shumë i rëndësishëm, prandaj, që të ndikojë për bashkimin e kombeve, duhet të ketë vlera, të transmetojë vlera, si disiplina, për shembull, pa harruar se të ndihmon të dish ç’duhet bërë, e edhe ta bësh këtë. Gjithsesi, mendoj se duhet të presim edhe nja dhjetë vjet.

Pyetje: - Ndjenja e bashkësisë u vërejt me forcë edhe në duartrokitjen e gjatë, të stuhishme, prekëse, për Mandelën. Sintezë e prirjes së mbarë Kontinentit për të filluar një jetë të re, duke falur e duke u pajtuar…

Përgjigje: - Mandela mbetet dhuratë e Zotit, e jo vetëm për Afrikën. Dhuratë për mbarë njerëzimin. Një burrë, që vuajti 27 vjet burgim e që nuk urren asnjeri, por vijon të bëjë ç’është e mundur, që Kontinenti t’i besojë vetvetes, pavarësisht nga e kaluara e tij, nga kolonializmi, nga pas-kolonializmi, të bëhet Kontinent, që “mund t’i dhurojë shumë njerëzimit”.

Jo vetëm Afrika e ndjeu vetën të lidhur fort me lidhëzën e sportit, por edhe Spanja, ku ndjenjat kombëtare fituan mbi ato krahinore, duke krijuar një bashkim prekës shpirtëror, bashkimin e njerëzve që quhen spanjollë, që dolën fitimtarë në një ngjarje të madhe, të cilën e ndoqi me emocion mbarë bota. Këtë nënvizon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, Jago Delacierva, drejtor ekzekutiv i Ditës Botërore të Rinisë të Madridit, që u pyet ç’përfaqëson kjo fitore:

Përgjigje: - Përfaqëson një element të bashkimit shoqëror e krahinor, të cilin zakonisht nuk e kemi aq të zhvilluar. Fakti që fitorja u festua edhe në Viktoria, edhe në Barcelonë, edhe në Bilbao e në të gjitha qytetet spanjolle, besoj se duhet parë si faktor tejet pozitiv.

Pyetje: - Si e jetoi Kisha këtë festë spanjolle?

Përgjigje: - Me gëzim të madh. Shpresojmë se Kupa, siç ndodh zakonisht, do t’i paraqitet edhe Zojës së Almudenës, pajtore Madridit. Mendoj se jemi të gjithë shumë, shumë të lumtur.

Pyetje: - Ju jeni drejtori ekzekutiv i DBR-së së Madridit. A besoni se kjo fitore do t’ju japë ndihmë për organizimin e këtij takimi të madh rinor, tejet të rëndësishëm, jo vetëm për historinë e Kishës, por edhe të shoqërisë… sepse ngjarje të tilla, si fitorja e Kampionatit, ndikojnë edhe mbi shoqërinë…

Përgjigje: - Sigurisht, kjo solli sadopak gëzim në shoqëri, në një ças kur jemi të zhytur në krizë. U bë motor shprese.

Pyetje: - Domethënë, ju mendoni se futbolli ka edhe vlerë shoqërore?

Përgjigje: - Mbi të gjitha ky futboll. Kështu u jetua në Spanjë, sepse nuk ishte fitore e individualizmit, por e skuadrës. Lojtarët janë djem të pastërt, nuk luftojnë për të dalë vetë në plan të parë. Punuan me të gjitha forcat, e kështu spanjollët panë ç’do të thotë fitore e skuadrës!

E ndërsa Spanja feston fitoren e madhe, Kampala qan 78 të vdekur, viktima të atentatit të dyfishtë, që tronditi mbrëmë gjithë Ugandën, goditur rëndë nga terrorizmi. Është fjala për dy bombat, që shpërthyen në një restorant të kryeqytetit, gjatë finales së Kampionatit Botëror të Futbollit. Njollat e gjaku mbi Kampionatin, tregojnë edhe një herë fytyrën e vërtetë të terrorizmit, që vihet ballë për ballë me festën botërore, plot ndjenja të bukura e paqësore, frymëzuese për rrugën e “Fitoreve të skuadrës”, jo të “krimeve të skuadrës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.