2010-07-12 14:32:40

Në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI i ftoi besimtarët t’u shërbejnë me dashuri e bujari më nevojtarëve.


(12.07.2010 RV)Benedikti XVI ka nisur prej disa ditësh pushimet verore, të cilat sivjet do t’i kalojë krejtësisht në selinë e Kastel Gandolfos, prej nga, dje në mesditë, u drejtoi besimtarëve lutjen e Engjëllit të Tënzot. Natyrisht, duke qenë periudhë e veçantë e vitit, edhe mendimi i Papës ishte i veçantë: Ati i Shenjtë kujtoi posaçërisht besimtarët, që kalojnë periudha të vështira, kur të tjerët pushojnë. E, duke pasur parasysh se dje Kalendari kishtar përkujtonte Shën Benediktin, edhe Benedikti XVI e kujtoi jo vetëm si pajtorin e Evropës, por edhe si ‘pajtorin e madh të papnisë së tij”.

Tejet e përzemërt, si çdo vit, pritja që i bënë banorët e qytezës së vogël, aq të dashur për Papët, Benediktit XVI. ‘Kthehem këtu me kënaqësi’, kujtoi Ati i Shenjtë, para se të kremtonte lutjen e Engjëllit ë Tënzot së bashku me besimtarët e shumtë, që e kishin mbushur plot oborrin e Kastel Gandolfos, duke krijuar një atmosferë vërtetë verore e festive.
I frymëzuar nga faqja e djeshme ungjillore, Papa kujtoi posaçërisht përgjigjen, që i jep Jezusi një dijetari të Ligjit, i cili e pyet: “Mësues, ç’duhet të bëj, për të fituar jetën e pasosur?”. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, me gjithë mendjen tënde! E të afërmin, si vetveten!”, përgjigjet Biri i Zotit. “Po kush është i afërmi im?”, vijon të pyesë dijetari i Ligjit. E atëherë Jezusi i përgjigjet me shembëlltyrën e Samaritanit të mirë. Për të treguar, kështu, shpjegoi Benedikti XVI, se na takon ne të bëhemi të afërmit e çdo njeriu, që ka nevojë për ndihmë:
Shembëlltyra, prandaj, duhet të na bindë ta ndryshojmë mendësinë tonë, sipas logjikës së Krishtit, që është logjika e dashurisë: Zoti është dashuri, e ta nderosh, do të thotë t’u shërbesh vëllezërve me dashuri të sinqertë e bujare”.
Ky tregim ungjillor, vërejti Papa, na kujton kriterin e masës, domethënë, na mëson se dashuria është universale, se nuk duhet t’i duam vetëm ata, të cilët na duan, por edhe nevojtarin, që nuk e njohim fare, që e takojmë rastësisht. Kushdo qoftë:
Përveç këtij rregulli universal, duhet kujtuar edhe një kërkesë veçanërisht kishtare: në Kishë, që është një familje e vetme, asnjë anëtar nuk duhet të vuajë, sepse nevojtar”.
I krishteri duhet të ketë një zemër, që shikon ku ka nevojë për dashuri e që vepron, atje ku kjo dashuri e thërret. Prej këndej, Papa iu lut Zojës së Bekuar t’u prijë të gjithë besimtarëve në udhën e fesë:
“T’ia besojmë Virgjërës Mari udhën tonë të fesë e, posaçërisht në këtë kohë pushimesh, që zemrat tona të mos e harrojnë kurrë Fjalën e Zoti e vëllezërit në vështirësi”.
Më pas Papa kujtoi edhe festën e Shën Benediktit të Norçes, “atë e ligjvënës i monakizmit perëndimor”, shpallur nga Pali VI, më 1964, Pajtor i Evropës, për kontributin e tij të mrekullueshëm në formimin e qytetërimit evropian:
“… siç tregon Shën Gregori i Madh, “ishte njeri shenjt… shenjt me emër e me hir. Shkroi për murgjërit një rregull … pasyrë e magjisterit, që e mishëronte në vetveten e tij: e kjo, sepse Shenjti nuk mund të jepte absolutisht mësime, të cilat nuk përkonin me mënyrën si jetonte”.
Gjatë përshëndetjeve përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë kujtoi posaçërisht rregulltaret Apostulle të Zemrës së Krishtit, të mbledhura në kapitullin e tyre të përgjithshëm, duke u dhënë zemër të jenë dëshmitare të dashurisë hyjnore në të gjitha fushat, ku kryejnë misionin e tyre: në shkolla, në shëndetësi, në baritorinë rinore e familjare, në veprat e ndihmës për emigrantët e për të varfërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.