2010-07-11 10:14:00

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot 11 korrik e diel, Kisha kremton të dielën e 15-të gjatë vitit Kishtar, ciklit të tretë e po sot më 11 korrik kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e të Shën Piut I papë.
Liturgjia e ditës na kujton se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi të vërtetë në jetë. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti. Kujtojmë se në Shqipëri Shën Benediktin e kremtojnë Motrat Benediktine të Provanisë Hyjnore.

Bashkësia apostolike e kupton mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin vet për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit. Këtë na kujtojnë Shën Gjon Gualberti, abat, themlues i Valombrozanëve dhe Shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë, të cilët do të përkujtohen të hënë më 12 korrik. Shën Gjonin në Shqipëri e kremtojnë sidomos motrat servite.
 
Të martën e ardhshme më 13 korrik është festa e Shën Enrikut II perandor; e Shën Esdrës, skribë dhe e Shën Silës, nxënës i Shën Palit. Liturgjia e ditës na kujton se misioni i nxënësit nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht si delja në mes të ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen papritmas në armiq për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen, që s’dihet nga ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti i Atit qiellor.
 
Të mërkurën më 14 korrik do të përkujtohet Shën Kamili de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që kremtohet në mbarë botën, e edhe në Shqipëri, nga Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim të spitaleve. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.
 
Të enjten më 15 korrik, Kisha katolike kremtoi edhe Shën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës. Liturgjia hyjnofre na kujton se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar
 
Të premten më 16 korrik, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Do të përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
 
Të shtunën më 17 korrik, Shën Marçelinën, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë.
Liturgjia e së dielës së ardhshm na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.
 
Të dielën e ardhshme më 18 korrik, Kisha do të kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar e më 18 korrik, kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Maternin e Shën Rufilin. Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e fafon një flakëz feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati”. Ky reflektim buron nga liturgjia e festës së Shën Pjetër Krizologut, ipeshkëv i Ravenës e doktor i Kishës, që do të kremtohet të hënën.







All the contents on this site are copyrighted ©.