2010-07-11 10:13:20

Më 11 korrik kalendari Kishtar Shën Benediktin Abat, pajtor qiellor i Evropës


"Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës.

Ndonëse dita e vdekjes së Shen Benediktit Abat është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me krezhmët. Gjithsesi murgjërit benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës.

Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë.

Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini:
"Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë.

Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit.

Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin e diturisë.

Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanësh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.

Më 27 prill 2005, në audiencën e parë të përgjithshme të papnisë së Tij, duke i ftuar besimtarët ta ndjekin e ta mbështesin me lutje, Papa Benedikti XVI shpjegoi pse e zgjodhi emrin që mban tani: “Desha të quhesha Benedikti XVI për t’u lidhur përsëri shpirtërisht me të nderuarin Papën Benedikti XV, i cili e udhëhoqi Kishën në një periudhë të trazuar për shkak të konfliktit të parë botëror.
Por gati njëmijë vjet më parë, një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër: Benedikti nga Norçia, qytezë në Umbria të Italisë. Me urdhrin e tij murgar, “Patriarku i monakizmit perëndimor”, më pas bashkëpajtor i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj – shpjegoi Ati i Shenjtë Racinger - “Shën Benedikti është tepër i nderuar në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur”. Shenjti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj.
Prandaj “në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona” - nënvizoi Papa Benedikti XVI në audiencën e parë të papnisë.
Mbetet tejet aktual Shën Benedikti abat. Si dikur me dritën qytetërimit të krishterë, ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu edhe sot Shën Benedikti abat i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - “lutu e puno” me Kryq, me pendë e parmendë!

Shën Benediktin, Abat.
Papa Racinger në katekizmin kushtuar Shën Benediktit më 9 prill 2008 mes tjerash tha: në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta zbulojë identitetin e saj. Shën Benedikti është “njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij të famshme, solli një tharm shpirtëror, që i dha Evropës së kohës, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, të bazuar mbi fenë e krishterë, pohoi mes tjerash Papa Racinger për Shën Benediktin nga Norçia. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit Evropa është në kërkim të identitetit. E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë të lashta të krishtera, që jeta murgare benediktine i shtriu në të gjithë kontinentin.
Evropa e shekullit V, Evropa e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues, imponuar nga perandoria romake, kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri. E dyta, e shkretuar nga dy luftëra botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare, përpiqet prej vitesh, jo pa dhimbje, të krijojë fizionominë e vet të përbashkët. Këto dy fytyra të Evropës, historikisht larg njëra-tjetrës, kanë të përbashkët një rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën, më se 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin e Vjetër, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI – në ciklin e katekizmit kushtuar figurave të mëdha të Kishës së shekujve të parë - janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit, rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes:
Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”.
E pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964 e tani edhe Pajtor i papnisë së Benediktit XVI .
Ati i Shenjtë Papa Racinger foli gjatë mbi figurën e Shën Benedikti, u ndal tek jeta dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve e tha:
Vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”.
Para se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos, shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë, pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi Papa – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin:
“Pa lutje, nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit. Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”.
E pikërisht nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhejtë shekuj më parë, por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot:
Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo e ruajti forcën deri më sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.