2010-07-11 10:14:42

Kardinali i San Paolos, Sherer, mbi dikasterin për Ungjillëzimin e Ri: do ta ndihmojë Kishën për entuziazëm të ri apostolik.


(11.07.2010 RV)Dikasteri i ri do ta nxisë Kishën ta rimendojë veprimtarinë për kumtimin e krishterë. Është i bindur për këtë kardinali Odilo Pedro Sherer, kryeipeshkëv i San Paolos, në Brazil. E këtë bindje e shprehu të nesërmen e krijimit, nga ana e Benediktit XVI, të Këshillit për ungjillëzimin e ri, kryesuar nga kryeipeshkvi Rino Fizikela. Hirësia e Tij e rishpreh këtë bindje edhe në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
“Ne nuk mund të themi kurrë me siguri se njerëzit janë të ungjillëzuar. Një herë e një kohë po, kur të gjithë ishin katolikë, kur vetë shoqëria ishte më katolike në tërësinë e saj e feja kalonte nga breznia në brezni pa vështirësi e me shumë pak kundërshtime. Po sot nuk është kështu e shumë njerëz, madje edhe familje, për shembull, nuk ia dalin mbanesh ta përçojnë pasurinë më të madhe, fenë, nga një brez në tjetrin. Prindërit nuk janë më në gjendje t’ua transmetojnë fenë e tyre fëmijëve. Nga ana tjetër, ndodhemi në një kontekst, në një situatë kulturore që ndryshon shumë nga ajo e disa viteve më parë, prandaj Kisha duhet t’i rikthehet ungjillëzimit. Kjo nuk do të thotë se ç’u bërë deri më sot, është e gabuar. Por sot, përballë situatave të reja, duhet ribërë përsëri, me shpirt të ri, me entuziazëm të ri, e gjithë puna për ungjillëzimin; e duhet bërë duke i takuar personalisht njerëzit. Ky dikaster i ri duhet të punojë në mënyrë të tillë, që t’i japë një shtytje të re kësaj pune e ta bëjë këtë shqetësim të ndjehet në të gjithë Kishën, duke nisur nga ipeshkvijtë, nga meshtarët, nga rregulltarët, por edhe nga organizatat e Kishës, nga lëvizjet shekullare. E tërë jeta e Kishës duhet ta ketë këtë nxitje të re, këtë shqetësim të ri, për ta përtërirë ungjillëzimin, atje ku ishte i ri, por nuk është më. E nuk duhet menduar kurrë se një gjë bëhet një herë e përgjithmonë, sepse situatat ndryshojnë. Prandaj duhet t’u japim përgjigje të reja, situatave të reja, që jetojnë njerëzit, por edhe kulturës së re, sepse ndryshon e na vë para sfidave të panjohura, të cilave duhet t’u japin përgjigje me një vetëdije të re, e me një sintezë të re të fesë së krishterë".







All the contents on this site are copyrighted ©.