2010-07-11 10:26:06

Atë Shtjefën Gjeçovi françeskan në përvjetorin e lindjes (1874-1929)


Kujtojmë sot një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, françeskanin shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin, i cili për kontributin e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Budi, imzot Bogdani, imzot Bumçi, Atë Gjergj Fishtës, Atë Anton Harapit e tjerë.
Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Lindi 132 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjën françeskane. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.
Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurr se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
Lista e veprave të tij është shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut.

Shtjefën Gjeçovi: Hulumtuesi diturak i mitologjisë iliro-shqiptare
LUAN CANAJ | 29/12/2009
Duke kuturisur në viset e Albanologjisë, në kërkim të diçkaje të përbashkët për lëvruesit e kahershëm të letërsisë e kulturës shqiptare, pikas me kënaqësi që më parësorja në këtë rast, është prirja e tyre gjurmuese e hulumtuese në moçmëritë tona mitologjike. Në këtë aradhë kërkimtarësh të zellshëm, Shtjefën Gjeçovi zë një vend me vlerë të veçantë.
Falë përçapjeve të para përmes shkrimesh të shumta në shtypin e kohës së vet, ai nisi të mblatojë një vepër vetjake, kryesisht me karakter të spikatur kulturologjik, siç shfaqet tek Agimi i Gjytetnisë e, në të njëjtën kohë, u mor me një mori gjurmimesh e hulumtimesh arkeologjike, të cilat u kurorëzuan me studimin e vyer: Trashigime thrako-ilirjane.
Shtjefën Gjeçovi u lind në Janejvë, më 12 korrik të vitit 1874. Pas mësimeve të para, në vendlindje, dërgohet për shkollim të mëtejshëm në Kolegjin Françeskan të Troshanit. Më tej, pas mësimeve liceore e filozofike në Bosnjë, kryen studime teologjike në Kuvendin Françeskan të Kreshevës. Fill pas kësaj, fillon shërbesa si famullitar në Pejë, në Laç e mandej në Gomsiqe të Mirditës, ku nis sakaq veprimtaria e tij e dendur si qëmtues folklori e i "dishmimeve të të vjetërve" të vet.


Me përkushtim imtësor, falë gjurmimeve e gjetjeve arkeologjike të zbuluara nga ai vetë, ashtu sikurse zbulonte e mblidhte, si bleta pjalmin, trashëgiminë e visarit të vyer folklorik, Gjeçovi diturak grumbulloi në famullinë mitike të Gomsiqes një mori tejet të larmishme veglash e enësh, monedhash e objektesh të qëmtuara nëpër tumulat (varret) ilire. Kur i shkoi një vizitë në Gomsiqe, Konica pati rastin të shihte nga afër frytet e punës shumëvjeçare të Gjeçovit në fushën e kërkimeve arkeologjike dhe ja se si shprehet për atë koleksion objektesh të çmuara: "Mbaj mënt, veçan, një enë të vogël, të quajtur lacrumatorium, lotore, asish që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdekurin që ky të kish se ku t'i mblidhte lottë." Me siguri që ky thesar ka qenë i pasur e i çmuar po të kemi parasysh disa dëshmi, sipas të cilave thesari i Gjeçovit u vizitua e u vlerësua shumë lart edhe nga arkeologë a etnologë të përmendur në botë si Ugolini, Maruki, Nopça, etj. Këtë gjë e thekson edhe studiuesi Anton Çeta në kumtesën e tij: "Kultura shqiptare në periudhën e Rilindjes".


Kështu, Gjeçovi u përpoq ta ndriçojë botën e lashtë ilire e thrake me tëhollinë e punimeve: Trashigime iliro-thrakase, duke i krahasuar doket e zakonet e të parëve tanë dhe gjetjet e shumëllojshme arkeologjike me ato greko-romake si dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. "Herët-herët, shkruan ai, i zbukurojshin vorret me shtylla, me trungj, me kamë guri e kso tjerash, e kto mnyrë e doke i kishin pasë edhe nierzë të mire sikuerse na e ban dishmi Shrimi shejt: Jakobi e pat da me shej vorrin e Raheles. Malcorët e Mi-Shkodrës i zbukurojnë vorret me rrasa e kryqa gurit, e, a mi rrasë qi e mlon vorrin a rreth kryqash i njeshin armet e fishektoret te nxjerrme në gur..."
Krahas këtij shqyrtimi, Gjeçovi rreket të shkoj diturisht edhe më larg, kah zbërthimi i shumëfishtësisë simbolike të disa objekteve, për një përcaktim edhe më të saktë mitologjik, teksa shton: "Kto shęje a titulla quheshin Matceva prej Hebrejsh, e prej Grekësh Sele, a se shtylla, trűngj, kamë guri, pyramida a edhe gurë të mdhaj e të dhęnun kater skepesh, e kta gurë kjenë majtë [Vini re!] për hyj prej nierzsh me të gjitha shęjet tjera...".


Duke shkoqitur gojëdhana e legjenda të moçme, Gjeçovi thekson se si shumë hyjnive të lashta nuk u është shkulur ende "rraja nene prej tokës Shqypëtare, bie fjala Emni i të Madhit Perëndi Jehova i Hebrenjve gjithnduer emnash bajti, ... veç: Hy, Zojëz, Ejt, Gjues prej Shqyptarësh, sidomos nder malcijnat t'ona...". Edhe lindja e Hyut shtjellohet përmes Kronit, i biri i Uranit (...). Emri i Kronit e ka rrënjën tek gjuha shqipe "e don me thane Mbret a Kryekunoruem", saktëson Gjeçovi. Dhe për të qënë sa më bindës thërret sërishmi në ndihmë legjendat e stërlashta, ku falë edhe përkimeve të pacënueshme toponimike, ja se si thuret natyrshëm rrëfenja mitologjike: "Për nderë të Kronit shqypëtarët ngręhen nji Kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cilli gjindet në fushë të Finikut, ku u gjęte edhe gjyteti i Kronit. Sot n'at vend asht fshati qi quhet Krongji, në rrethinë të Delvinës. Permbi fshatin Krongji gjinden germadhat e motnueme të kohës së Pellazgjve. Zoti (Zeusi) pra, mbas gojëdhanet Epirote nuk u lind në Dodonë, në pallat të Kronit, por në Palavli kű ishin të banat (stanet) e Kronit e prej këndej u dergue neper Butrint me lundër e në Kretë." ...


Gjeçovi i palodhur, përfundoi edhe punën më të arrirë, mbledhjen e ligjeve të maleve, të përfshira në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Të gjitha ato norma zakonore që kishin patur fuqi ligjore për aq e aq kohë, ai i plotësoi dora-dorës me durim, për të nxjerrë sa më qartë në pah mënyrën se si rregulloheshin marrëdhëniet shoqërore, morale a ekonomike dhe ato mes njerëzve në familje, bajrak, fis e shoqëri, duke theksuar qartas disa ideale shpirtërore e estetike të stërgjyshërve tanë, pasqyrë e etikës së tyre të lartë, të ruajtur gjer në ditët tona në virtytet e epërme të besës, burrërisë, mikpritjes e bujarisë.
Mirëpo veprimtaria diturake e Gjeçovit në lëmin e Albanalogjisë, nuk mund të linte në harresë nektarin fillestar popullor.


Botimet e shpeshta sidomos në të përkohshmen Albania dëshmojnë dukshëm prirjen e tij të rrallë si mbledhës sqimatar i letërsisë gojore, ku spikatin përralla, thënie, fjalë të rralla e fjalëzime tingullore nga lojna fëmijësh, por sidomos këngë e valle popullore, pasi siç shkruante rreth dyqind vjet më parë dijetari e folkloristi i mirënjohur gjerman Johann Gottfried Herder: "...Të gjithë popujt këndojnë... Këngët që kanë janë arkivat e tyre, thesari i shkencës dhe i religjionit, i teogonisë dhe i kozmogonisë, i bëmave të stërgjyshërve dhe i ngjarjeve që kanë mbushur gjallmimin e tyre, janë pasqyrimi i zemrës e tabloja e jetës familjare në kob e në gëzime, që nga djepi e gjer në varr...".


E shikuar në këtë kahje, sidomos në kontekstin më të rishtë ballkanik, veprimtaria albanologjike e Shtjefën Gjeçovit, krahas prurjeve më të arrira të shumë diturakëve tanë të përmendur nëpër kohëra, përfton edhe më tepër vlerë e shënon një trashëgimi mëse të vyer që pret të pasurohet nga brezi në brez dhe të përcillet krenarisht më tej.







All the contents on this site are copyrighted ©.