2010-07-10 18:50:53

Vijon nëntëditshi kushtuar Zojës Karmë, të cilën kalendari liturgjik do ta kremtojë më 16 korrik.


(10.07.2010 RV)Në Romë kjo festë kremtohet me devocion të madh, posaçërisht në famullinë e Shën Marisë në Traspontina e në lagjen e famshme romake të Trasteverit. Nesër, në Kishën e Zojës Karmë, në Traspontinë, në orën 17. 30 do të kremtohet Mesha Shenjte, e kryesuar nga ipeshkvi-ndihmës, imzot Benedeto Tuzia, pas së cilës, procesioni me shtatoren e Zojës së Bekuar në rrugët rreth kishës.
Zoja e Karmelit është në qendër të përshpirtërisë së Karmelitanëve, që dëshirojnë të jenë bashkësi mikpritëse ndërmjet njerëzve të shumtë, të cilët e ndjekin këtë kishë e kishat e tjera, kushtuar Zojës Karmë. Për këtë përshpirtëri na flet atë Fulvio Garroni, rregulltar karmelitan i bashkësisë së Jesit, në Marke të Italisë, së cilës i është besuar shenjtërorja e Zojës së Hireve:

Përgjigje: - Karizma jonë është ajo e një bashkësie në lutje, në mes të popullit. Prandaj mund të themi se karmelitan është ai, që gjen gjithnjë vend e kohë për të qenë pranë Zotit. E këtë prani, pastaj, duhet ta çojë në botë me guxim e përvujtëri, duke pasur mirë parasysh se duhet të dëgjojë zërin e njerëzve, të cilët dëshiron t’i marrë për dore, për t’u prirë drejt Mbretërisë së Hyjit.

Pyetje: - Ju jetoni në Jesi, në Marke. Ç’ lidhje keni me njerëzit, me besimtarët?

Përgjigje: - E ndjej veten mirë, pikërisht sepse i përkas përshpirtërisë karmelitane. Siç thoshte Gjon Pali II, shenjtëroret janë ‘kirurgjia e shpirtit’. Këtu ne rrëfejmë të gjithë besimtarët, që jetojnë në zonë. Prandaj mund të them se kemi lidhje të ngushta me ta, e lidhje vërtetë të mira. Përpiqemi ta shoqërojmë Krishtin në mundime e në vdekje, siç shprehet Shën Pali. Për ne kjo do të thotë të hyjmë në zemër të njerëzve, të marrim pjesë në mundimet e tyre, në çastet që nuk është e lehtë të kapërcehen. Jeta rregulltare është e bukur, sepse jetohet në bashkësi, edhe pse, po ta shikojmë hollë, po kjo jetë komunitare është edhe ‘maxima poenitentia’(pendesa më e madhe), siç thuhet, sepse ka edhe shumë vështirësi, që duhen përballuar. Pavarësisht prej tyre, me ndihmën e Zotit e të Zojës, çdo ditë e re sjell me vete diçka të bukur, që meriton të jetohet.








All the contents on this site are copyrighted ©.