2010-07-10 16:33:09

Kampionati Botëror i Futbollit drejt përfundimit. Kardinali Napier: e bashkoi Afrikën.


(10.07.2010 RV)Kampionati Botëror i Futbollit, që përfundon nesër me ndeshjen përfundimtare ndërmjet Spanjës e Holandës, lë pas jo vetëm entuziazmin dhe interesimin e madh, me të cilin u ndoqën fazat e ndryshme të turneut, por edhe shpresat e një Kontinenti të tërë. Këtë nënvizon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi i Durbanit, kardinali Vilfrid Fox Napier:

 Përgjigje – The first thing that the World Cup would leave in South Africa...
Gjëja e parë, të cilën do t’ia lërë Kupa e Botës Jugut Afrikan, është se, më në fund, tërë bota e ndjeu që ky vend i përket bashkësisë ndërkombëtare. Futbolli është sporti kryesor për shumicën e jugafrikanëve, posaçërisht për zezakët. E për ata, fakti që e patën Kupën e Botës në vendin e tyre, fitoi një kuptim të posaçëm; i afroi, duke i bërë ta ndjejnë bashkarisht njohjen nga bashkësia ndërkombëtare. Tani gjëja më e rëndësishme është t’i besojmë vetvetes, të bindemi se mund të bëjmë gjëra me rëndësi, pa pritur t’i bëjnë të tjerët për ne. Afrika duhet t’i tregojë botës se është në gjendje të vetorganizohet edhe në fusha të tjera, në sektorë themelorë, si arsimi, shëndetësia e kështu me radhë. U takon, tashti, politikanëve tanë të bëjnë me vendosmëri në këto fusha, atë që bënë për Kupën, ta bëjnë për njerëzit e tyre, në çastin kur reflektorët e botës nuk do të drejtohen më mbi ne!

Pyetje: - Jugafrika e re është ëndërr, apo mbetet ende mirazh?

Përgjigje: - No, no è “un ideale”. It’s an idea...
Jo, jo, është ideal. Është ide e mendoj se është ende ëndërr, po ëndërr që u realizua sadopak. Për shembull, në se kthehem me kujtesë 50-60 vjet pas, do të ishte mrekulli të shikoje një të bardhë duke ecur përkrah një zezaku. Tani fëmijë e prindër, të bardhë e të zinj, rrijnë pranë e pranë, si njerëz që janë njohur prej kohe. Për mua është pikërisht kjo, pjesa e ëndrrës që bëhet realitet. Mbetet ende shumë udhë për të bërë, por faleminderës Zotit, shenjat tregojnë se mund ta bëjmë.

Pyetje: - Kampionati Botëror i Futbollit, sipas jush, pati efekt pozitiv edhe mbi pjesën tjetër të Kontinentit afrikan...

Përgjigje: – Absolutely, I’m certain of that...
Absolutisht, jam i sigurt për këtë! Vetëm dy vjet më parë në Jugun e Afrikës patëm një përvojë tejet negative sulmesh ksenofobe kundër afrikanëve, refugjatëve që kërkonin një jetë më të mirë ndërmjet nesh. E të mendosh se u sulmuan nga vëllezërit e tyre, nga afrikanë të tjerë. Kupa e Botës nxiti solidaritetin ndërmjet vendeve të ndryshme afrikane, të cilat e jetuan kampionatin si ngjarje që nuk i përkiste vetëm Afrikës së Jugut, por mbarë Afrikës. Kjo, mendoj është diçka tejet pozitive për bashkimin e Afrikës; bëri shumë më tepër, se do të kishin bërë mijëra fjalë, të folura nga politikanët.







All the contents on this site are copyrighted ©.