2010-07-09 17:02:00

Venezuelë: ipeshkvijtë venezuelanë i shprehin solidaritetin kardinalit Urosa


(09.07.2010 RV)Dje, në Karakas, u hapën punimet e asamblesë së 94-të plenare të Konferencës ipeshkvnore të Venezuelës. Ishte rast i ri i përshtatshëm për t’i shprehur kryeipeshkvit të kryeqytetit, kardinalit Urosa, afërsinë e solidaritetin e të gjithë ipeshkvijve venezuelanë, pas sulmeve të padrejta nga ana e presidentit Hugo Çavez.
Ipeshkvijtë e dënuan ashpër qëndrimin e presidentit, duke hedhur poshtë me indinjatë epitetet e përdorura kundër Hirësisë së Tij që, ndërmjet tjerash, u quajt kundërshtar politik i revolucionit bolivarian, pa fshehur habinë e tyre si për mungesën e plotë të edukatës nga ana e presidentit, ashtu edhe për prirjen e tij për t’i poshtëruar ipeshkvijtë, thjeshtë sepse patën guximin t’i sqarojnë popullit të vërtetën mbi greminën politike dhe ekonomike, drejt të cilës po e udhëheq vendin. Kardinali u vu në shenjestër nga presidenti, i cili përdori edhe mjetet e komunikimit në dispozion, pa marrë fare parasysh se, si kryeipeshkëv, ka të drejtë, madje detyrë të shenjtë, t’i orientojë katolikët në mbrojtje të vlerave fetare e morale e duke harruar se nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kishës.
Sqarojmë se kardinali Jorge Urosa Savino u fye gjatë kremtimeve të dyqindvjetorit të pavarësisë së Venezuelës nga presidenti i vendit, i prekur nga guximi i Prelatit të lartë për të thënë të vërtetën mbi situatën në Venezuelë, ku populli bëhet çdo ditë e më i varfër e pëson dhunë në të gjitha nivelet, në sa korrupsioni arrin kulmin. Duke shpërfillur kushtetutën e vendit, presidenti e qeveria e tij po e çojnë Venezuelën drejt socializmit marksist, pati pohuar Kardinali, i cili nënvizoi edhe se një udhë e tillë i bie ndesh vullnetit të popullit, shprehur në referendumin e 2007-tës, që hodhi poshtë rrugën socialiste të zhvillimit vendit. Një udhë e tillë, sqaroi Hirësia e Tij, nuk mund të ketë fund tjetër, veç diktaturës së proletariatit, siç dëshirojnë ta quajnë krerët, për të fshehur pas kësaj fjale faktin se në vende të tilla sundon vetëm kupola, që qeveris. Prelati shprehu shqetësimin e tij të thellë edhe për mënyrën si po tregtohen sendet ushqimore, duke vënë nën kontroll të qeverisë deri të drejtën për ushqim. Besojmë se shqiptarët nuk i kanë harruar ende fjalët e kobshme ‘triskë’ e ‘talon’, prandaj nuk është nevoja për shpjegime të gjata. Ashtu si nuk është nevoja të kujtojmë se s’ka popull në botë që do të dëshironte kufizime të tilla tragjike. Një fund i tillë do të ishte fatal për vendin, sepse çon në shkeljen e të gjitha të drejtave njerëzore, civile e politike”- theksoi Prelati i lartë.
Për këtë arsye u sulmua e u fye Kardinali guximtar i cili, pas fyerjeve të rënda në adresë të tij, deklaroi me qetësi, mirësjellje e pa asnjë prirje për të fyer kënd, se veproi ashtu si i thoshte ndërgjegjja, duke e ditur mirëfilli ç’e pret atë që guxon të përdorë të drejtën për të kritikuar presidentin e shtetit. Po kardinali nuk heshti. Historia e krishterë ka pasur gjithnjë njerëz besnikë ndaj Kishës... e popullit, pavarësisht nga persekutimet, i kujtoi botës Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së përgjithme të së mërkurës. Ëndrra e madhe e njerëzimit të të gjitha kohëve, quhet Liri, vijoi të kujtonte Papa, duke vërejtur se kjo vlerë kërkohet e emfatizohet, posaçërisht në epokën moderne. Po ç’mund të themi për kufijtë e kësaj ëndrre të bukur, për të cilën luftuan njerëz të panumërt gjatë shekujsh, duke i kushtuar gjithçka, deri në flijimin e vetvetes? pyeti Papa. E pikërisht hapjen e të gjithë kufijve për realizimin e plotë të kësaj ëndrre të bukur kërkoi Kardinali venezuelan. E për këtë edhe u sulmua, sepse ngriti zërin për mbrojtjen e njerëzve, që i janë besuar, pavarësisht nga persekutimet.







All the contents on this site are copyrighted ©.