Kubë: qeveria, edhe në dritën e dialogut me Kishën, njofton se do të lirojë 52 disidentë
politikë.
(09.07.2010 RV)Në Kubë, dialogu ndërmjet qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare
e, posaçërisht, ndërmjet autoriteteve kubane e Kishës katolike, solli zhvillime të
reja, tejet të rëndësishme. Ndërmjet tyre, njoftimi nga ana klasës drejtuese kubane,
për lirimin e shpejtë të dhjetra disidentëve politikë si dhe ndërprerjen e grevës
së urisë nga ana e gazetarit Guilermo Fariñas, i cili që më 23 shkurtin e kaluar nisi
këtë tip proteste, për të kërkuar lirimin e të burgosuve politikë, që të gjithë në
gjendje të keqe shëndetësore. Por, të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit, kolegun
tonë, gazetarin Luis Badila, specialist për çështjet latino-amerikane:
Përgjigje:
- Pak orë më parë u dha njoftimi se gjatë dy-tre muajve të ardhshëm, do
të lirohen nga burgu 52 disidentë: disa janë duke dalë nga burgu, pikërisht në këto
çaste kur ne po flasim për ta; të tjerë përgatiten të largohen nga vendi, duke zgjedhur
si destinacion Spanjën. E kanë kërkuar vetë. Një rol të rëndësishëm në këtë ngjarje
të madhe për Kubën, luajti edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos në këtë fazë përfundimtare,
gati-gati duke e vënë këtë lirim si vulë mbi gjithë ndërmjetësimin…
Pyetje:
- Nga Kuba arrin edhe konfirmimi i lajmit se disidenti Fariñas e ndërpreu grevën
e urisë: ç’shpjegim i jepni kësaj ngjarjeje?
Përgjigje: -
Është lajm shumë i mirë. Çdo jetë njerëzore e kursyer, nuk mund të mos jetë gëzim
për të gjithë, për mbarë njerëzimin. Edhe pse ky njeri, pas 135 ditë greve urie e
etjeje, natyrisht është në gjendje të rëndë shëndetësore. Shpresojmë se mjekët, që
u kujdesën për të gjatë këtyre javëve, do ta rikthejnë në jetë. E ky do të jetë një
lajm vërtetë i mirë për Kubën, për popullin e saj, për të gjithë ne!
Pyetje:
- Ç’lidhje ka ky lajm me lirimin e 52 disidentëve politikë? Përgjigje:
- Nuk ka as hije dyshimi se ndërprerja e grevës së urisë nga ana e gazetarit
disident Fariñas, ka lidhje të drejtpërdrejt me këto lirime: pikërisht për këtë protestonte
gazetari. E është dialogu ndërmjet Kishës katolike e presidentit Kastro, që i mundësoi
këto hapa të rëndësishme përpara. Prandaj mund të themi se lidhja ndërmjet dy ngjarjeve
të mëdha për Kubën, tregon se mund të arrihen objektiva të reja të rëndësishme, pa
pasur nevojë të përdoren mjete ekstreme. Dëshmon edhe se dialogu jep më shumë fryte,
sesa ndeshja.
Pyetje: - E nga Kuba arrijnë sinjale ngushëlluese,
sinjale të tjera të reja: për herë të parë mjetet e komunikimit të partisë komuniste
kubane, vendosën të publikojnë një komunikatë të Kishës… Përgjigje:
- Është e vërtetë: nuk ndodhte që prej 50 vjetësh. Si “Gram”, organ zyrtar
i partisë komuniste, ashtu edhe “Juventud rebelde”, organ i rinisë komuniste kubane,
e botuan të plotë komunikatën e kardinalit Xhejm Lukas Ortega, në të cilën pohonte
se e kishte marrë vesh nga goja e presidentit Raul Kastro lajmin për lirimet nga burgu.
Kjo do të thotë se Kishës kubane, në këtë çast, i njihet zyrtarisht roli që meriton;
domethënë njihet si forcë shpirtërore, që nuk kërkon kurrfarë privilegji, kurrfarë
pushteti politik, për të kontribuar në bashkëjetesën shoqërore, në sigurimin e paqes
e sidomos, në zgjidhjen e problemeve të mëdha. Në radhë të parë, në sigurimin e lirisë,
që deri më sot ka munguar, e, më pas, por pa e konsideruar si diçka më pak të rëndësishme,
edhe në sigurimin e një ekonomie të lirë, mbi të cilën të mos peshojnë masat ndeshkimore,
që i krijuan vështirësi të panumërta popullsisë së këtij kombi, për 50 vjet me radhë…