Benedikti XVI emëron imzot De Paolis delegat papnor për legjionarët e Krishtit.
(09.07.2010 RV)Benedikti XVI emëroi sot delegatin papnor për Kongregatën e
Legjionarëve të Krishtit. Është kryeipeshkvi Velasio De Paolis, rregulltar skalabrinian,
kryetar i Prefekturës për çështjet ekonomike pranë Selisë së Shenjtë. Për emërimin
e delegatit u fol që më 1 majin e kaluar, në komunikatën mbi takimin, mbajtur në
Vatikan, me pesë ipeshkvijtë e ngarkuar për vizitën apostolike në Kongregatën e Legjionarëve
të Krishtit. Takimin e pati kryesuar Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio
Bertone. Një nga seancat u zhvillua në praninë e Papës. Në komunikatë nënvizohej
se “ipeshkvijtë, gjatë vizitës apostolike, takuan një numër të madh rregulltarësh
shembullorë, të ndershëm, të talentuar, shumë prej të cilëve, të rinj, që kërkojnë
plot zell Krishtin e që e dhurojnë me gëzim gjithë vetveten për përhapjen e Mbretërisë
së Hyjit. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me themeluesin e Legjionarëve, atë Marcial
Maciel Degollado, sjellja e të cilit u dënua, ndërsa u kërkua rishikimi i thellë i
gjithë rrugës së përshkuar. Pas vizitës apostolike, u pa e nevojshme të ripërcaktohet
karizma e Kongregatës së Legjionarëve të Krishtit, duke ruajtur bërthamën e vërtetë,
atë të ‘Militia Christi”, që e dallon veprimtarinë apostolike e misionare të Kishës
e nuk kërkon rezultate me çdo kusht. Benedikti XVI, duke i falënderuar vizitatorët
për punën e tyre delikate, të kryer me kompetencë, bujari e ndjeshmëri të thellë baritore,
u mjaftua të kujtojë se në të ardhmen do të tregonte mënyrat e këtij shoqërimi, duke
filluar nga emërimi i një delegati të tij e të një Komisioni studimi mbi Kushtetutën.
Delegati u caktua sot e është imzot De Paolis. Përmes një komunikate, Salla vatikanase
e Shtypit sqaron se delegati do të takohet personalisht e sa më shpejt të jetë e mundur
me eprorët aktualë të Kongregatës së Legjionarëve të Krishtit. Do të jetë ai që, në
funksionin e tij të ri, do të vendosë mënyrat e kohët e komunikimit për aspektet kryesore,
për mandatin, që ka marrë nga Ati i Shenjtë si dhe për themelimin e Komisionit, që
do të studiojë Kushtetutën e vetë Kongregatës. Përmes këtyre parashikimeve, vijon
të sqarojë Komunikata e sotme e Sallës vatikanase të Shtypit, Papa i siguron të gjithë
legjionarët dhe anëtarët e Lëvizjes “Regnum Christi”, se nuk do të lihen vetëm e se
Kisha është e vendosur t’i shoqërojë e t’i ndihmojë në rrugën e pastrimit, që i pret.