2010-07-08 17:56:41

Benedikti XVI Rogacionistëve: gjuhë dhe mënyra të reja për të kumtuar Ungjillin.


(08.07.2010 RV)Gjuhë dhe mënyra të reja për t’ia kumtuar Ungjillin njerëzve. Këto uron Benedikti XVI në mesazhin drejtuar Kapitullit XI të përgjithshëm të Etërve rogacionistë të Zemrës së Krishtit, mbajtur këto ditë pranë Qendrës shpirtërore “Rogate di Morlupo” afër Romës. Tema e reflektimit: “Rregulli i jetës, garancia e identitetit karizmatik, shprehja e shugurimit, mbështetja në bashkimin vëllazëror, - plan i misionit.”
Në mesazhin e tij Benedikti XVI iu kërkon Etërve rogacionistë “të kumtojnë Lajmin e Mirë me gjuhë dhe mënyra të kuptueshme për njerëzit e kohës sonë, përfshirë në procese shoqërore dhe kulturore në shndërrim e sipër.” Këto kërkon sot “sfida e madhe e rrënjosjes së kulturës”, - nënvizon Papa. 53 ishin vëllezërit rogacionistë që kishin ardhur në Morlupo nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika për të debatuar mbi çështjet e rëndësishme që do të ndikojnë pastaj edhe tek Kushtetuta dhe Normat e Rregullës, për t’ia përshtatur këto kohëve moderne, në përputhje me sensibilitetin kishtar – që siç vë në dukje Ati i Shenjtë Racinger – “buron nga Koncili II vatikanas dhe janë kodifikuar në Kodin e së Drejtës Kanonike.” Bëhet fjalë pra, për një proces azhornimi që pati filluar që në kapitullin e përparshëm dhe që Etërit rogacionistë kanë ndërmend ta çojnë deri në fund.
“Horizonet e hapura të ungjillëzimit dhe nevoja urgjente për t’ua dëshmuar mesazhin ungjillor të gjithëve, pa dallim, janë fusha e apostullimit tuaj,” pohon Benedikti XVI në mesazhin e tij, duke nënvizuar edhe faktin se “janë të shumtë ata që presin ende ta njohin Jezusin, Shëlbuesin e vetëm të njeriut, në këtë botë ku ka shumë padrejtësi e vështirësi morale dhe materiale që e bëjnë besimtarin të mendohet.” “Një mision kaq urgjent kërkon pra, “një kthim të vazhdueshëm në fe, individual dhe kolektiv. Vetëm zemra krejtësisht të hapura ndaj Hirit të Zotit, - shkruan Papa, - janë në gjendje t’i interpretojnë shenjat e kohës dhe t’i përqafojnë thirrjet e njerëzimit, në nevojë për paqë dhe shpresë.” Ati i Shenjtë i rekomandon të gjithë rogacionistëve të ruajnë “me besnikëri trashëgiminë shpirtërore” të themeluesit të tyre Shën Hanibal Maria të Francës, duke vazhduar “me gëzim misionin ende të vlefshëm sot ndonëse kushtet shoqërore në të cilat jetojmë kanë ndryshuar”. Shën Hanibali në fakt, diti “të realizojë një apostullim të guximshëm si qe e guximshme edhe veprimtaria në dobi të të afërmit në nevojë.” Prej këndej edhe thirrja e Benediktit XVI rogacionistëve të Mijëvjeçarit të Tretë të kultivojnë “një pasion edukues të vërtetë, mbi të gjitha, për të rinjtë, që të vihen pa u kursyer në shërbim të të gjithë atyre që vuajnë në trup e në mendje.” – përfundon mesazhi i Benediktit XVI drejtuar rogacionistëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.