2010-07-07 16:37:18

Mbretëria e Bashkuar: nismat e ipeshkvijve për t’i bërë jehonë vizitës së Papës.


(07.07.2010 RV)Në atmosferën përgatitore për vizitën e Papës në Mbretërinë e Bashkuar, shtatorin e ardhshëm, Konferenca ipeshkvnore e Anglisë dhe e Uellsit (Cbcew) po organizon ditë të posaçme formimi për përdorimin e mediave të reja dixhitale. Sesionet, organizuar nga ana e agjensisë së ipeshkvijve Ccn, në bashkëpunim me dioqezën e me shoqërinë e marketingut “Make Happy”, u drejtohen të rinjve katolikë me moshë nga 18 deri në 30 vjeç. Ipeshkvijtë katolikë i kanë përqendruar forcat tek interneti, për t’i bërë jehonën më të madhe mediatike të mundshme ngjarjes, duke pasur parasysh kryesisht të rinjtë, që kanë më shumë familjaritet me botën dixhitale, siç ka kujtuar disa herë Benedikti XVI.
Në mesazhin për Ditën e 43-të Botërore të komunikimeve shoqërore 2009, Ati i Shenjtë pati nënvizuar se pikërisht të rinjve u takon detyra e ungjillëzimit të këtij kontinenti dixhital.
Sesioni i parë u mbajt në Londër, në fund të qershorit. Ishte ftuar edhe Juli Etçinggam, spikere e famshme katolike televizive, që foli për aspekte të ndryshme të mbulimit të vizitës së Papës. Në kurs morën pjesë të rinj nga pesë dioqezat kryesore.Sesioni i ardhshëm do të fillojë më 9 korrik në Liverpul.







All the contents on this site are copyrighted ©.