Rompuy: Kosova ka vetëm një të ardhme, Bashkimin Evropian
"Është vetëm një e ardhme për Kosovën - Bashkimi Evropian", tha sot në Prishtinë Presidenti
i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy. Ai ështëë pritur në takim të përbashkët nga
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga Kryetari i Kuvendit, Jakup
Krasniqi dhe nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëhet e ditur në komunikatën
nga Presidenca. Në këtë takim, Presidenti Herman Van Rompuy i ka siguruar liderët
e Republikës së Kosovës se Bashkimi Evropian angazhohet fuqishëm për ta ndihmuar Kosovën
në ecjen përpara drejt aspiratave të saj evropiane, si dhe të ardhmen e gjithë rajonit
drejt BE-së. "Të 27 shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për vendosjen e EULEX-it
në Kosovë. Ato e kanë mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe BE-ja është 100%
së bashku në mendimin se e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron brenda Bashkimit Evropian",
theksoi Herman Van Rompuy. Sipas tij, integrimi evropian është në të mirë të të
gjithë popullit të Kosovës dhe të rajonit, ndaj Bashkimi Evropian kërkon nga secili
angazhim për të pasur një qëndrim konstruktiv lidhur me bashkëpunimin rajonal, pasi
i gjithë rajoni ka perspektivë evropiane. Po ashtu, Presidenti i BE-së, Herman
Van Rompuy, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e
domosdoshme për zhvillimin e Kosovës dhe për të nxitur përparimin social e ekonomik
të vendit. "Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një nga prioritetet më të
rëndësishme dhe ajo duhet të jetë një përpjekje e koordinuar me autoritetet lokale,
të cilat duhet të prijnë", pohoi ai. Presidenti Herman Van Rompuy foli edhe për
procesin e liberalizimit të vizave, të cilin e cilësoi si një proces teknik që ka
kushtet e veta, të cilat duhet të plotësohen. Ndërsa, Presidenti i Republikës së
Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi se arritjet e deritanishme të Kosovës janë edhe rezultat
i bashkëpunimit të thellë dhe i përkrahjes së gjithanshme që ka dhënë Bashkimi Evropian
për Kosovën. "Vizioni ynë i vetëm është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në
NATO dhe ne presim mbështetjen tuaj të mëtejshme për realizimin e aspiratave të popullit
dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës", tha Presidenti Sejdiu. Kryetari
i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, pohoi se vizita e Presidentit
Herman Van Rompuy në Prishtinë dëshmon përkushtimin që ai personalisht dhe vendet
e Bashkimit Evropian kanë për Kosovën. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi u përqendrua
në përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vëndosjen e rendit dhe shtrirjen
e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kontekst, ai theksoi
se hapja e Zyrës së Shërbimit Civil në veri të Mitrovicës, e cila është përkrahur
edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe nga EULEX-i, nuk është akt që drejtohet
kundër askujt, por synon të lehtësojë shërbimet për të gjithë qytetarët.(ATSH-ja)