2010-07-06 16:06:39

Irak: në Mosul vritet një i krishterë tjetër.


Vazhdon kalvari i bashkësisë së krishterë në Mosul, qyteti më i rrezikshëm i Irakut. Dje u ekzekutua, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një tjetër i krishterë: Behnam Sabti, 54 vjeç, siro-ortodoks, i cili punonte si infermier në spitalin shtetëror Al Xhumhurija të Mosulit. Një bombë që ishte vendosur poshtë makinës së tij, shpërtheu, ndërsa viktima po udhëtonte. Burime të AziaNjuz në vend njoftojnë se motivi i vrasjes është pikërisht përkatësia fetare e viktimës.

I martuar dhe me tre fëmijë, Sabti do të varroset në fshatin e tij të lindjes në Bashika. Sipas të dhënave më të fundit, të bëra publike në fund të qershorit nga ministritë irakiane të Mbrojtjes, të Shëndetit dhe të Brendshme, dhuna në shkallë kombëtare ka rënë.
Pavarësisht nga kjo, njerëzit kanë ende frikë dhe vazhdojnë të jetojnë në tmerr. Numri i irakianëve të vrarë në qershor zbriti në 284 në krahasim me 437 të qershorit 2009. “Nëse Iraku është në vendnumëro për shkak të tejzgjatjes së bisedimeve politike për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 marsit të kaluar, Mosuli po përjeton një situatë pasigurie” – njoftojnë burimet e AziaNjuz.

Dy janë llojet e terrorizmit në Irak sot për sot: nga njëra anë aktet e dhunës kundër banorëve shiitë dhe pakicave, dhe nga ana tjetër terrori xhihadist kundër trupave amerikane dhe aleatëve të tyre të ushtrisë irakiane.
Rrugët e Mosulit patrullohen nga ushtria amerikane, rreth 18 bataljone të ushtrisë irakiane janë të shpërndara në të gjithë qytetin, bashkë me qindra policë dhe postblloqe, e megjithëkëtë, situata mbetet tepër e pasigurt, siç tregojnë vetë oficerët amerikanë. “Problemet do të shtohen kur SHBA të tërhiqen përfundimisht nga vendi.” – deklaroi për AziaNjuz anëtari i këshillit krahinor Didar Abdulla Al-Zibari.







All the contents on this site are copyrighted ©.