2010-07-06 16:06:59

Indi:një strategji mirë e menduar pas dhunës kundër të krishterëve në Orisë.


Dhuna kundër të krishterëve, që i ka lënë shenja këto vite shtetit indian të Orisës, është fryt i një strategjie të hollësishme të ultranacionalistëve hindu, boshti i së cilës është depërtimi sistematik në sistemin vendor shkollor. Pikërisht mbi këtë temë përqendrohet një reportazh i revistës “Eglises d’Asie” – Kishat e Azisë, cituar nga agjencia e lajmeve “Apic”.
Sipas mjeteve lokale të informimit, nga viti 1978 Rashtrija Suajemseuak Sang (Trupa kombëtare e Vullnetarëve) një nga formacionet paraushtarake më të rrezikshme të së djathtës indiane, ka ndërtuar një rrjet prej 793 shkollash nëpër fshatra, qendra të vërteta rekrutimi të udhëheqësve dhe të militantëve hindu.
Organizata përfshihet rregullisht në valët e dhunës kundër pakicave fetare në Orisë dhe njihet si një nga dorasësit e pogromit kundër të krishterëve të vitit 2008 që pati shkaktuar më shumë se 100 të vdekur, me mijëra të shpërngulur dhe me qindra ndërtesa të të krishterëve të shkatërruara. Edhe tani që disa nga përgjegjësit e asaj vale dhune i janë dorëzuar drejtësisë, kjo ushtri paramilitare vazhdon t’i tmerrojë fshatrat e krishtera.
Sipas së përditëshmes “The Asian Age”, ky sistem ka arritur të futet me sukses në arsimin shtetëror dhe si pasojë “një brez i tërë është indoktrinuar sipas parimeve të hindutvasë, ideologji kjo që kërkon kthimin e Indisë në hinduizëm”.
“Kjo strategji djallëzore ka si qëllim t’u mësojë të rinjëve urrejtjen”, - pohon gazeta indiane. Në fakt librat shkollorë që përdoren nëpër shkollat e ushtrisë paramilitare janë të mbrujtur me urrejtje racore ashtu sikurse edhe tregimet pa kurrëfarë baze historike ku flitet për krimet që janë kryer kundër hinduve nga etnitë e tjera. Kjo lëvizje, shpjegon veprimtari katolik indian Xhon Dajal, vepron kryesisht nëpër fshatra, dhe përpiqet t’i kundërvihet shkollave të krishtera që gjenden nëpër qytete dhe frekuentohen nga elita e shoqërisë.
Atë Anselm Bival, e konfirmon plotësisht këtë situatë shqetësuese: “Shkollat e drejtuara nga Kisha nuk kanë as edhe një mundësi kundër atyre të RSS, siç njihet ndryshe trupa paraushtarake hindu. Ajo për çka ka nevojë Kisha është të investojë dhe të ketë një politikë më të qartë në fushën e arsimit.” – përfundon ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.