2010-07-05 17:47:02

Plagoset deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic


Deputeti i Partisë së Pavarur Liberale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Petar Miletic sot rreth orës 8.00 të mëngjesit është plagosur me armë zjarri para apartamentit të tij në pjesën veriore të Mitrovicës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti citohet të ketë thënë se ndaj Mileticit në korridorin e ndërtesës në të cilën jeton ai janë shkrepur katër plumba, prej të cilëve njëri e ka qëlluar në këmbë. Sipas zëdhënësit Hoti, lëndimet e Mileticit nuk janë të rrezikshme për jetën, ndërsa policia ka përshkrimin e autorit të sulmit dhe se hetimet po vazhdojnë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e cilësuan si atentat sulmin ndaj deputetit Miletic, i cili është edhe nënkryetar i Partisë Liberale Serbe.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë, qëndron politika serbe e Beogradit. “Konsideroj se këto zhvillime po ndodhin në prag të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin politik të Kosovës dhe të gjitha këto ngjarje janë të iniciuara, të nxitura e ndoshta edhe të kryera - edhe pse këtë duhet ta vërtetojnë hetimet që do të bëhen - nga politika serbe e Beogradit”, tha Krasniqi.
Ky sulm ndaj deputetit serb në Parlamentin e Kosovës është dënuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se zhvillime të tilla në Mitrovicë po ndodhin pas hapjes së Zyrës për Shërbime Civile të Qeverisë së Kosovës në atë pjesë, por u zotua se Qeveria nuk do të zmbrapset nga pretendimet që të shtrijë pushtetin në atë pjesë.
“Në ditët e ardhshme pres dhe jemi duke punuar për hapjen e gjykatës në veri. Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është kushtetues dhe ligjor, si dhe në pajtim me dokumentin e presidentit Ahtisaari”, tha Thaçi.
“Ju ftoj të gjithëve për mbështetje të këtyre angazhimeve, në mënyrë që të mos politizohet ky proces. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe nuk do të kthehet prapa për as një milimetër”, theksoi Thaçi.
Sulmin ndaj deputetit Miletic e kanë dënuar të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dënoi ashpër sulmin me armë zjarri ndaj deputetit të Partisë së Pavarur Liberale dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Petar Miletic, para banesës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Sulmi ndaj z. Petar Miletiç, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës, është një akt i shëmtuar kriminal, i cili drejtohet drejtpërdrejt kundër paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e presidentit Sejdiu.
“Angazhimi këmbëngulës i deputetit Miletic për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie e besimi, për tolerancë, për bashkëpunim dhe mirëkuptim në mes të gjithëve njerëzve të vullnetit të mirë ka bërë që ai të ketë respektin e qytetarëve anekënd Kosovës, por jo edhe të atyre që nuk u përshtatet rendi dhe ligji”, tha presidenti Sejdiu.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të punojnë për zbardhjen sa më të shpejtë e këtij rasti dhe vënien e fajtorëve përpara drejtësisë.
Edhe misioni i EULEX-it ka dënuar ashpër plagosjen e deputetit Miletic. Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, ka thënë se dhuna është e papranueshme, ndërsa ka bërë të ditur se EULEX-i mbështet Policinë e Kosovës në hetimet që është duke i kryer për gjetjen e përgjegjësve për sulmin e së premtes në veri të Mitrovicës, si dhe sulmin që ka ngjarë sot ndaj deputetit Miletic.
EULEX-it ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, ndërsa thekson se spekulimet rreth hetimeve që janë duke u bërë për këto raste janë të padobishme. Në këto rrethana, siç theksohet në një deklaratë të zëdhënëses Limdal, nevojitet mbledhja e fakteve nga ana e hetuesve dhe prokurorëve – para se të mund të bëhen çfarëdo kokluzionesh. nga /QIK/REL/Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.