Më 5 korrik kalendari Kishtar kremton Shën Antonin Maria Zakaria, themelues i rregulltarëve
Barnabitë
Antoni lindi në Kremonë të Italisë më 1502 në një familje me origjinë gjenoveze. E
ëma, mbetur e vejë që në moshën 18 vjeçe, nuk deshi të martohej më. Iu kushtua e tëra
edukimit të të birit. Frytet e mira nuk do të vononin. Një ditë të ftohtë dimri, Antoni
u kthye në shtëpi pa mantelin prej leshi: ia kishte falur një të varfëri që dridhej
nga e ftohta. Gjatë viteve që kaloi në Pavi, ku studionte mjekësinë, iu kushtua mësimit,
larg jetës së zhurmshme studentore. Vishej si të varfërit, ndonëse i përkiste një
familjeje të pasur.
Edhe profesionin e mjekut e ushtroi për e pranë të varfërve,
duke ua mjekuar falas sëmundjet e trupit e të shpirtit e duke çuar kudo shkonte, paqen
e Zotit. Më 1528 u shugurua meshtar. E la përsëri vetëm nënën, si në vitet e studimeve,
e u vendos në Milano, ku së bashku me Giakomo Morigen dhe Bartolomeo Ferrarin themeloi
Kongregatën e Klerikëve rregulltarë të Shën Palit, të njohur si barnabitë, nga emri
i Kishës milaneze të Shën Barnabës, pranë së cilës lindi shtëpia nënë.
Qëllimi
ishte nxitja e reformës së klerit e të shekullarëve. Shumë shpejt, pranë Kongregatës
mashkullore lindi edhe dega e Motrave Engjëllore, për reformimin e kuvendeve femërore.
Fjala reformë asokohe ishte në rend të ditës. E Ndou, së bashku me shenjtorët e shumtë
të kohës, dha një kontribut të shquar për përgatitjen e Koncilit të Trentit, që do
të realizonte pikërisht reformën e madhe katolike. Adhurues i Eukaristisë, themeloi
praktikën e 40 orëve të adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament.
Vdiq pa
i mbushur ende 37 vjetët, më 5 korrik 1539, në shtëpinë ku kishte lindur e ku kishte
shkuar, duke e ndjerë se po i soseshin forcat, gjatë njërit prej misioneve të shumta
të lutjes e të predikimit që zhvillonte vazhdimisht në Italinë veriore.
Dha
shpirt me kryet mbështetur në prehrin e nënës guximtare, e cila kishte pranuar jetën
vetmitare, vetëm për të mos e penguar të birin të kryente misionin e tij të madh,
që vijon ndër qindra shtëpitë e dy degëve të Kongregatës së tij, përhapur në shumë
vende të botës, si dhe në Shqipëri e në Kosovë, ku sot Barnabitët e Motrat Engjëllore
ishin në festë. Mbi figurën dhe veprën e Shën Anton Maria Zakaria, të dëgjojmë
motrën shqiptare File Gështenja e Motrave Engjëllore nga Shqipëria...