2010-07-04 16:17:41

Papa në Sulmona, në gjurmët e Shën Çelestinit, i fton besimtarët ta kumtojnë Ungjillin edhe gjatë persekutimeve e të mos shqetësohen shumë për gjërat e përditshme.


(04.07.2010 RV)Sot Papa vizitoi Sulmonën. U nis në orën 8.30 me helikopter nga Vatikani, për të arritur në vendin e vizitës baritore, pas fluturimit mbi abacinë e Shpirtit Shenjt e mbi Vetmitoren e Shën Onufrit në Morrone.
Për ta pritur Atin e Shenjtë kishin dalë imzot Anxhelo Spina, ipeshkëv i Sulmonë- Valvës; Xhani Leta, zevendës-sekretar i Këshillit të Ministrave, përfaqësues i qeverisë dhe autoritete të tjera civile e kishtare, kombëtare e lokale.
Pas zbritjes nga helikopteri, Papa përshkoi me papamobil rrugën Maxini dhe rrugën kryesore të qytetit, që mban emrin e poetit të madh latin, Ovidit, lindur në këto troje, për të arritur, më pas, në Sheshin Garibaldi.
Pasi përshkoi sheshin, për t’u takuar me besimtarët, ndoqi përshëndetjen e rastit, nga ana e kryetarit të bashkisë, zotit Fabio Federiko dhe ipeshkvit, Anxhelo Spina.
Në orën 10.00, veprimtaria kryesore: Mesha Shenjte, pasuar nga kremtimi i Engjëllit të Tënzot.
Për hollësira, të ndjekim shërbimin e të dërguarës së Radio Vatikanit. Nga Sulmona, Fausta Speranca:

“Sipas shembullit të Shën Çelestinit V, Benedikti XVI i ftoi të gjithë të jetojnë thjeshtë, sepse një jetë e tillë siguron lirinë e mendjes e të zemrës. Kishës i kërkoi ta kumtojë me guxim Ungjillin edhe në çaste persekutimesh; besimtarëve, të shkëputen nga shqetësimet e tepërta për gjërat e përditshme:
“… kumtimi i qetë, i qartë e i guximshëm i mesazhit ungjillor, edhe në çaste persekutimi, pa iu nënshtruar joshjes së modës, dhunës as imponimit; shkëputja nga shqetësimet për gjëra, si paraja e veshjet, duke u mbështetur fort në provaninë e Atit; vëmendja e kujdesi i posaçëm për të sëmurët në korp e në shpirt (cfr Lk 10, 5-9). Këto ishin edhe karakteristikat e papnisë së shkurtër e të vuajtur të Çelestinit V e këto, edhe karakteristikat e veprimtarisë misionare të Kishës në çdo epokë”, nënvizoi Papa.
Qytetit, i cili nuk humbi jetë njerëzish gjatë tërmetit të tmerrshëm, që një vit më parë dëmtoi rëndë Abrucet, por që sigurisht jetoi çaste frike e vështirësish konkrete, i tha: “Erdha të ndaj me ju gëzime e shpresa, lodhje e impenjime, ideale e aspirata e, kryesisht, lutje!
Duke kujtuar, më pas, se pikërisht sot kremtohej 800-vjetori i lindjes së Shën Çelestinit V, e se me këtë rast u shpall edhe një Vit jubilar çelestinian, që do të përfundojë në gusht, Benedikti XVI theksoi se shenjtëria nuk është kurrë jasht mode:
“Shenjtëria nuk e humbet kurrë forcën e saj tërheqëse, nuk del jashtë mode, madje, me kalimin e kohës, shkëlqen gjithnjë më shumë, duke shprehur tensionin e përhershëm të njeriut drejt Zotit”.
Benedikti XVI e quajti Çelestinin V, njeri që kërkoi Zotin në heshtje të plotë, sepse kështu mund të dëgjohet zëri i Hyjit, i vetmi që është i aftë ta drejtojë njeriun në jetë. Është shumë e rëndësishme, prandaj, të reflektohet për këtë edhe në shoqërinë tonë, në të cilën çdo hapësirë e çdo çast duket se duhet mbushur me nisma, me veprimtari, me tinguj. Shpesh, nënvizoi Papa, njeriu nuk ka kohë as për të dëgjuar ç’i thotë tjetri, e aq më pak, për të dialoguar:
“Nuk duhet të kemi frikë të krijojmë heshtje jashtë e brenda nesh, në se duam të bëhemi të aftë për të perceptuar jo vetëm zërin e Zotit, por edhe atë të njerëzve, që kemi pranë, të të tjerëve”.
Papa kujtoi edhe një mësim tjetër të Çelestinit V: “Gjithçka kemi në jetë, është dhuratë e Zotit!”. E në vijim theksoi disa probleme të rëndësishme të zonës, si mbrojtja e territorit, perspektiva shqetësuse e privatizimit të ujit e, sidomos, impenjimi i Kishës lokale në shërbim të së mirës së përbashkët.
Në qendër të jetës së Çelestinit V ishte gjithnjë Krishti, ishte Kryqi. Kryqi, pohoi më pas Benedikti XVI, e pajisi Shenjtin me vetëdijen e qartë të mëkatit, por dhe të mëshirës së pafundme të Zotit. E, në këtë drejtim meshtarët kanë një rol të dorës së parë:
Dëshiroj t’i nxis meshtarët të bëhen dëshmitarë të qartë e të besueshëm të lajmit të mirë të pajtimit me Zotin, duke e ndihmuar njeriun e sotëm ta kuptojë si mëkatin, ashtu edhe faljen e Zotit”.

 
Nga qyteti i Sulmonës, në çastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i kërkoi Kishës ta drejtojë si duhet njeriun, që kërkon Zotin:
“Besnike ndaj trashëgimisë së Shën Çelestinit V, ta lidhë ngushtë besnikërinë e plotë ndaj Ungjillit me mëshirën, në mënyrë që ata, të cilët kërkojnë Zotin, të mund ta gjejnë”.
Papa i ftoi të gjithë për një jetë të thjeshtë e të përvujtë, duke kërkuar vetëm atë, që është vërtet e domosdoshme:
“Edhe ne, që jetojmë në një epokë me lehtësi e mundësi më të mëdha, jemi të thirrur ta çmojmë stilin e jetës së përkorë, për t’i ruajtur të lira mendjen e zemrën e për t’i ndarë pasjet tona me vëllezërit”.

Pas përfundimit të Engjëllit të Tënzot, duke përshkuar me makinë rrugët Ovidi e Rusvelt, Benedikti XVI shkoi në qendrën baritore dioqezane. Këtu përuroi e bekoi Shtëpinë e meshtarëve, të sapo restauruar, ku do të banojnë meshtarët e moshuar e të sëmurë. Që sot quhet “Shtëpia meshtarake Benedikti XVI”.
13. 30-të, ora e drekës. Papa u ul në sofër pikërisht në qendrën baritore, i rrethuar nga sivëllezërit dhe grupi, që e shoqëron.Në orën 16. 30 përshëndeti anëtarët e Komitetit organizator të vizitës e, më pas, u takua me delegacionin e Shtëpisë Administrative të Sulmonës.







All the contents on this site are copyrighted ©.