2010-07-04 17:59:01

Papa e bashkimi i Kishës: reflektim i atë Federiko Lombardit.


(04.07.2010 RV)Detyra e parë e një pape, është ta krijojë e ta mbrojë bashkimin e Kishës. E kur, siç po ndodh në këto kohë, ndërthuren e zgjërohen faktorët e rrethanat, që mund ta kërcënojnë, fjalët e gjestet e Papës marrin një rëndësi të veçantë. Kështu ndodhi këto ditët e fundit me Benediktin XVI i cili, në më se një rast, mori vendime e kryesoi takime në shërbim të bashkimit të Kishës, siç pohon edhe drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, në editorialin për ‘Octava dies’, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:.....RealAudioMP3

 
“Gjatë ditëve të fundit fjalët dhe veprat e Papës për jetën e bashkësisë së Kishës, kanë qenë jashtëzakonisht të shpeshta e të vendosura. Kuptimplotë fakti, që u mblodhën rreth kremtimit të solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, duke e përqendruar përsëri vëmendjen tonë tek misioni, që Krishti ia besoi Shën Pjetrit e pasardhësve të tij, për mbështetjen dhe drejtimin e fesë të bashkësisë së besimtarëve.
Ndërmjet nismave të ndërmarra nga Papa këto ditë, spikat themelimi i një dikasteri për nxitjen e ungjillëzimit të ri në vendet, që vijojnë të shekullarizohen, por ne dëshirojmë të vemë në dukje, posaçërisht, impenjimin e Tij personal e të drejtpërdrejtë për unitetin e bashkësisë kishtare.
Papa ka përsëritur disa herë se rreziqet e tundimet më të mëdha për Kishën, vijnë nga brenda. Në kohë të vështira, si këto që po kalojmë, tensionet nga jashtë e lehtësojnë edhe lindjen e tensioneve të brendshme, e kjo ndikon në thellimin e pështjellimit e të pasigurisë.
Audienca, që u mbajt të hënën, me dëshirën e Papës, i cili u takua me kardinajtë Shënborn e Sodano e, të enjten, me ipeshkvin e nderit të Augsburgut, tregojnë qartë se ai merr pjesë personalisht në përpjekjet për të sheshuar tensionet dhe keqkuptimet, që trondisin bashkësinë.
Në kohë kontrastesh e pasigurish, bota pret nga të krishterët një dëshmi të harmonishme, të cilën ata, mbi bazën e takimit të tyre me Jezusin e ringjallur, janë në gjendje ta japin, duke ndihmuar njëri-tjetrin e edhe mbarë shoqërinë, për të gjetur rrugën e duhur drejt ardhmërisë. Kështu përfundon komunikata, kushtuar audiencës të së enjtes. E këto janë edhe ndjenjat e Papës, kjo, dëshmia e tij, plotësisht ungjillore e jashtëzakonisht e qartë. Duhet ta ndjekim!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.